Duke nisur nga data 27 qershor të gjitha institucionet publike qendrore dhe vendore do të hapen aplikimet për thirrjen e dhjetë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Pas vendimit të qeverisë të 4 qershorit, Ministrja e Shtetit për Rininë ka firmosur urdhërin për hapjen e aplikimeve.
Kuota maksimale e aplikimit të të rinjve për këtë vit është deri në 600. Sipas vendimit, pas realizimit të praktikës së punës, deri në 250 të rinj mund të përzgjidhen nga institucionet shtetërore për t’u punësuar për një periudhë 1-vjeçare në institucionet publike.
Sipas vendimit të qeverisë, kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët janë: a) Të jetë i ri nga mosha 21 deri në 29 vjeç; b) Të jetë diplomuar në një program studimi të ciklit të parë apo të ciklit të dytë, të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë; c) Të mos ketë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme; ç) Të mos ketë qenë i punësuar në institucionet e administratës shtetërore apo institucione të tjera publike në të shkuarën, me përjashtim të punësimit si punonjës administrativ, në kuptim të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.
