AKEP ka ndërmarrë nismën për rishikimin e rregullores që parashikon portimin e numrave celularë dhe atyre fiks nga njëri operator në tjetrin. Ndryshimet në rregulloren përkatëse janë hedhur për konsultim publik.
Portabiliteti i numrit nisi të zbatohet në Shqipëri në vitin 2011 në bazë të legjislacionit dhe vendimeve të AKEP nr. 1318, datë 14.06.2010, nëpërmjet të cilit u kryen dhe procedurat përkatëse për ngritjen dhe funksionimin e bazës së të dhënave referencë të centralizuar të portabilitetit (CRDB).
Megjithëse ndryshimet e Rregullores nr. 43/2016 në vitin 2018 patën efekt pozitiv në reduktimin e ndjeshëm të përqindjes së refuzimeve në periudhën 2018-2019, por në periudhën 2020-2024 është vënë re një rritje ndjeshme e numrit të ankesave të pajtimtarëve të lidhura me portimin e numrit celular, si dhe një rritje sërish e përqindjes së kërkesave të refuzuara nga operatorët celularë.
Për këtë arsye, AKEP ka konsideruar të nevojshme sërish ndryshimin e Rregullores me qëllim adresimin e problematikave të evidentuara për refuzimin e kërkesave për portim të numrit celular.
Çfarë përmbajnë ndryshimet e reja?
Së pari identifikimi i aplikuesit si individ kryhet vetëm me kartë identiteti apo pasaportë ndërsa për bizneset përmes një ekstrakti të thjeshtë ose historik.
Rregullorja e re për mënyrën e zbatimit të portabilitetit të numrit parashikon disa kufizime dhe kritere për refuzim ose pranim me kusht të kërkesave për bartjen e një numri nga një operator në tjetrin.
Më konkretisht, numri nuk mund të portohet nëse ka më pak se 3 muaj që është aktivizuar për herë të parë te operatori dhënës; është një numër i çaktivizuar për më shumë se 3 muaj; përdoruesi ka hequr dorë në mënyrë të shprehur nga e drejta për portimin e numrit të çaktivizuar.
Po kështu, në rast se pajtimtari ka detyrime të papaguara ndaj operatorit dhënës (fatura, penalitete për ndërprerje të kontratës para afatit, ose kompensim për pajisje të marra me paketë), portimi mund të refuzohet ose pranohet me kusht derisa detyrimet të shlyhen.
Në çdo rast, Operatori Dhënës nuk duhet lejohet të vonojë, refuzojë ose të bllokojë padrejtësisht procesin e bartjes së numrit. Brenda 1 dite pune, duhet të verifikojë informacionin e përdoruesit (emër, mbiemër, numër dokumenti, NIPT për personat juridikë dhe nëse të dhënat janë të sakta, kërkesa konfirmohet.
Nëse konstatohet mospërputhje ose arsye të tjera të përcaktuara në rregullore (si detyrime të papaguara), operatori duhet të japë shpjegim të arsyetuar me shkrim për refuzimin.
Nëse Operatori nuk jep përgjigje brenda afatit ndaj kërkesës, konsiderohet miratim automatik i kërkesës për portim.
Rregullorja ndalon ofertat për shmangien e largimit. Kështu, operatorët dhënës nuk lejohen të ofrojnë bonuse apo kushte favorizuese për pajtimtarin gjatë 30 ditëve të “statusit pezull” pas pranimit me kusht të kërkesës për bartje.
Bartja e numrit është e mundur vetëm brenda të njëjtit lloj rrjeti: fiks në fiks ose celular në celular.
Procedura e portimit dhe procesi i automatizuar i kërkesave
Të gjithë operatorët e rrjeteve dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike te lëvizshme do të aplikojnë procesin e plotë të automatizimit për të ekzaminuar dhe procesuar kërkesat për bartje dhe përgjigjet për to në rolin e Operatorit Dhënës.
Koha e procesimit të kërkesës dhe përgjigjja
Për operatorët celularë Dhënës, koha mes marrjes së kërkesës për bartje dhe përgjigjes nëpërmjet sistemit të CRDB nuk do të jetë më e gjatë se 5 minuta të 100% të rasteve të muajit kalendarik për pajtimtarët me parapagim.
Për pëdoruesit celularë me paspagim ky afat nuk do të jetë më i gjatë se 4 orë pune në 90% të rasteve të muajit kalendarik dhe jo më i gjatë se 1 (një) ditë pune të 100% të rasteve të muajit kalendarik.
Për operatorët celularë Dhënës, koha mes marrjes së kërkesës për bartje dhe përgjigjes, në rastin e kërkesës për bartje të mbi 100 numrave të një pajtimtari të kategorisë Biznes, nuk do të jetë më e gjatë se 3 ditë pune.
Për operatorët e rrjeteve dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike fikse, koha mes pranimit të kërkesës për bartje dhe përgjigjes nëpërmjet sistemit të CRDB nuk do të jetë më e gjatë se 6 orë pune në 90% të rasteve të muajit kalendarik dhe jo më e gjatë se 3 ditë punë në 100% të rasteve të muajit kalendarik.
Për operatorët fiks Dhënës, koha mes marrjes së kërkesës për bartje dhe përgjigjes në rastin e kërkesës për bartje të mbi 100 numrave të një një pajtimtari të kategorisë Biznes, nuk do të jetë më gjate se 5 ditë pune.
Numri maksimal i kërkesave qe mund te pranohen ne CRDB, drejtuar te njejtit operator dhënës brenda nje dite pune është 3000. Numri maksimal i kërkesave që mund të pranohen në CRDB dhe të procesohen brenda ditës, drejtuar të njëjtit operator dhënës brenda nje dite pune është 2500.
Kapacitetet e numrave maksimalë të pranuar të përcaktuara në këtë pikë mund të rriten, ndryshohen nëpërmjet akteve të vecanta administrative të nxjerra nga AKEP në zbatim të kësaj Rregulloreje dhe në funksion edhe të përmirësimeve në sistemin CRDB (hardware dhe software) dhe dinamikave të tregut.
Nëse operatori Dhënës nuk e dërgon përgjigjen për bartje brenda afateve të përcaktuara baza e të dhënave referencë e centralizuar do të veprojë sikur të ketë pranuar përgjigje pozitive për bartje./ekofin.al
