Ndërsa miratimi i teknologjive digjitale vazhdon të jetë kryesisht i kufizuar, sektori i fortë i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në rajon nxjerr në pah potencialin e tij për të konkurruar në ekonominë globale digjitale.
Sipas raportit të OECD të vitit 2025 për konvergjencën me BE-në, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, sektori i TIK-ut punëson afërsisht 150 000 individë (ose 1.5% të fuqisë punëtore) dhe përbën rreth 2% të PBB-së.
Për më tepër, performanca e eksportit të sektorit është e dukshme, me eksportet e shërbimeve të TIK-ut që mesatarisht arrijnë në 2.3% të PBB-së midis viteve 2020 dhe 2023 – gati 90% e mesatares së BE-së – dhe arrijnë në total 13.9 miliardë dollarë.
Për kryesuesit rajonalë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo normë tejkalon mesataren e BE-së, duke arritur përkatësisht në 4.0% dhe 3.2% të PBB-së. Në të kundërt, Shqipëria mbetet shumë prapa, duke regjistruar eksporte ekuivalente me vetëm 0.7% të PBB-së – më e ulëta në rajon.
Për të tërhequr investime dhe për të mbështetur rritjen e sektorit të TIK-ut, rajoni ofron një gamë stimujsh të synuar. Për shembull, në Serbi, startup-et teknologjike përfitojnë nga një normë e reduktuar e taksës mbi të ardhurat e korporatave prej 3%, që është gjysma e normës standarde, ndërsa në Shqipëri, norma e taksës mbi të ardhurat e korporatave për kompanitë e zhvillimit të softuerëve u ul nga 15% në 5% në vitin 2018.
Një tjetër nxitje e dukshme është heqja ose ulja e detyrimeve doganore, siç shihet në Kosovë, ku të gjitha detyrimet mbi pajisjet e TIK-ut janë eliminuar që nga viti 2014.
Këto stimuj plotësohen nga investimet e vazhdueshme dhe zgjerimi i infrastrukturës së inovacionit, e cila mbetet shumë e përqendruar në sektorin e TIK-ut. Kjo përfshin zhvillimin e qendrave të inovacionit digjital, parqeve shkencore dhe teknologjike, përshpejtuesve dhe qendrave të startup-eve. Një shembull i dukshëm është Parku i Shkencës dhe Teknologjisë i Beogradit, i cili, që nga themelimi i tij në vitin 2015, ka ndihmuar më shumë se 240 kompani teknologjike inovative, duke ofruar hapësirë zyrash, ambiente kërkimore dhe qasje në burime rrjetëzimi dhe mentorimi.
Po kështu, të rinjtë e kualifikuar të rajonit me aftësi të forta të anglishtes dhe paga konkurruese e kanë bërë atë një destinacion tërheqës për kompanitë e huaja për të transferuar shërbimet e TIK-ut. Ky transferim i kompanive evropiane ka çuar në shfaqjen e “grupeve” të TIK-ut në fazat e hershme në ekonomi si Serbia (në Vojvodinë) dhe Shqipëria (Tiranë).
Megjithatë, rritja e kostove të punës mund të dobësojë aftësinë e rajonit për të ruajtur këtë pozicion konkurrues në sektorin e TIK-ut. Në fakt, hendeku i pagave midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së po ngushtohet: ndërsa pagat mesatare të rajonit në sektorin e TIK-ut u rritën me 5-10% në vit nga viti 2012 deri në vitin 2020, rritjet në BE mesatarisht ishin nën 1%, duke ulur përballueshmërinë relative të talenteve të TIK-ut në rajon./ekofin.al

