Institui i Statistikave ka bërë publike të dhënat mbi tregtinë me pakicë sa i përket tremujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave në tremujorin e parë të vitit indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë shënoi rritje me 7.0% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, i llogaritur bazuar në deflatimin e indeksit të shitjeve në vlerë, arriti 107,2. Ky tregues i përshtatur sezonalisht ështe rritur 1,4 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Ndryshimi vjetor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë
Volumi i shitjeve gjatë tremujorit në tregtinë me pakicë sipas të dhënave është rritur me 4,9 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2024, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve.
Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve është rritur me 13,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.
Ndryshimi tremujor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, i përshtatur sezonalisht
Në tremujorin e parë 2025, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 1,7 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.
Në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht është ulur me 0,3 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Ndikimi i grupeve në tregtinë me pakicë
Në ndryshimin vjetor prej +7,0 %, në tremujorin e parë 2025 ndaj tremujorit të parë 2024, në tregtinë me pakicë, grupet kanë kontribuar si më poshtë:
“Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me +2,4 pikë përqindje. Grupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka kontribuar me +1,4 pikë përqindje dhe grupi “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” me +3,2 pikë përqindje./ekofin.al

