Pas Policisës së Shtetit edhe “Illyrian Guard” sh.a do të prokurojë uniforma për nevojat e shoqërisë.
Tenderi i shpallur për prokurimin e këmishave me mëngë, pelerinave dhe pantallonave ka një fond limit rreth 159 milionë lekë pa tvsh.
Kohëzgjatja e marrëveshjes kuadër ose afati për zbatim është 12 muaj nga nënshkrimi i saj.
Sa u përket kushteve, sipas procesverbalit argumentues, operatorët ekonomikë duhet të paraqesin kopje të certifikuara të bilanceve vjetore të 3 viteve të fundit financiare 2022, 2023 dhe 2024, të konfirmuara nga autoritetet përkatëse tatimore, sipas parashikimeve ligjore në fuqi, si dhe të shoqëruara me Aktekspertizën e Ekspertit Kontabël të Autorizuar, vetëm në rastin kur janë në kushtet e përcaktimeve të nenit 41/c të Ligjit Nr.10091, datë 05.03.2009 “Per Auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar.
Kjo kërkesë për kualifikim, konsiderohet e përmbushur nëse në 2 bilance të njëpasnjëshme, nuk ka raport negativ ndërmjet aktivit dhe pasivit. Në rastin e bashkimit të operatorëve ekonomikë, ky kusht plotësohet nga secili anëtar i bashkimit, thuhet në dokument.
Operatorët ekonomikë duhet të deklarojnë nëse janë prodhues apo tregtues të autorizuar nga prodhuesit për artikujt objekt prokurimi.
Në rast se ofertuesi nuk është prodhues duhet të paraqesë autorizim nga prodhuesi/distributori i autorizuar dhe të vërtetojë lidhjen midis tyre.
Afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 14 korrik 2025, ora 12:00./ekofin.al
