Shqipëria vijon të përballet me një nivel të lartë të ekonomisë informale, duke ndikuar drejtpërdrejt në rënien e të ardhurave fiskale, konkurrencën e ndershme dhe efektivitetin e politikave publike. Kjo gjetje u vu në dukje edhe nga Raporti mbi Ekonominë Informale të hartuar nga “Ernst & Young” të vitit 2025.
Të dhënat e detajuara mbi treguesit dhe shkaqet e informalitetit, të analizuar nga ekspertë fiskalë dhe përfaqësues të sektorit privat, ngrenë alarmin për nevojën e një qasjeje më strategjike dhe gjithëpërfshirëse.
Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, eksperti Artur Papajani, shpjegon për ekofin.al., se në sektorin e biznesit dhe qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve, format më të zakonshme të evazionit kanë të bëjnë me mospërfshirjen në regjistrin tatimor si individ apo person fizik; mosdeklarimin e saktë të çmimeve të shitjes; qarkullim mallrash pa dokumentacion fiskal (fatura apo kupon); falsifikimi i dokumenteve financiare; mosregjistrimin e blerjeve dhe ndarjen artificiale të bizneseve për të shmangur pragjet tatimore.
Fenomeni i kontratave dhe pagave fiktive, si dhe punësimi informal pa sigurime, mbetet gjithashtu i përhapur, duke cenuar të drejtat e punonjësve dhe kontribuar në deformimin e tregut të punës.
Eksperti thekson se informaliteti nuk lidhet vetëm me sjellje individuale, por edhe me faktorë më të gjerë që lidhen me mungesën e edukimit ekonomik dhe fiskal. Bujqësia, si një nga sektorët kyç të ekonomisë është gjithashtu një sektor në masë të gjerë informal.
Krahas mungesës së transparencës në shpenzime publike ekziston gjithashtu një klimë e pafavorshme për të bërë biznes dhe paqartësi në politikën tatimore. Bizneset përballen me një barrë fiskale të rëndë deri në 37% të fitimit dhe me rreth 35 lloje pagesash të ndryshme, të tilla si tarifa për inspektorate, licenca, leje, etj.
Sipas ekpertit, deri më tani në Shqipëri ka pasur vetëm disa plane operacionale sezonale, por në luftën kundër informalitetit nevojiten hartimi i strategjive afatgjata kombëtare, madje të personalizuara për secilën nga llojet e industrive, me tregues të matshëm dhe transparencë në raportim. Masat gjithashtu duhet të përfshijnë thjeshtimin e bazës ligjore dhe reduktimin e barrës fiskale; rritjen e transparencës në përdorimin e fondeve publike, si dhe përmirësimin e sistemit të apelimit dhe ankimimit. Po kështu, me rëndësi është dhënia e përparësisë shërbimeve elektronike, si dhe promovimi i sindikalizmit si frenues i informalitetit.
Për zotin Papajani rol me rëndësi do të luante edukimi me kulturë ekonomike e fiskale në të gjitha ciklet e arsimit publik e privat dhe popullatës në tërësi, si dhe metodat përzgjedhëse të stafeve për të kufizuar korrupsionin.
Pyetja që shumë biznese dhe qytetarë i bëjnë vetes është: A ia vlen të jesh formal në këtë sistem? Përgjigjja kërkon jo vetëm lehtësira fiskale reale dhe shërbime efikase, por edhe besim të rikthyer në institucionet publike, si dhe një komunikim më të mirë institucional mediatik. /ekofin.al
