Shifrat e publikuara nga tatimet vërtetojnë se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave në muajt e parë të këtij viti janë mbledhur nga të punësuarit. Në anën tjetër, shifrat e publikuara më herët nga Financat sugjerojnë mosrealizim sa i përket tatimit mbi të ardhurat nga bizneset. Deficiti në të ardhura detyroi tatimet t’i dërgonin një apel në formë paralajmërimi bizneseve një javë më parë, për të paguar taksat.
Tatimet njoftuan sot se vazhdon performanca e mirë e të ardhurave nga TAP dhe Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore si pasojë e aksionit të informalitet të pagave, thirrjeve të vazhdueshme për vetëpërmbushje dhe reflektimit të bizneseve.
Sipas shifrave të tatimeve, në maj 2025, kontributet janë mbledhur +8.2% më shumë se plani dhe +12% ndaj faktit të vitit të kaluar.
Gjithashtu edhe TAP ka një realizim me +17.2% ndaj planit dhe +17.83% ndaj faktit.
Për 5 muajt e parë të vitit, Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore janë rritur me 3 miliard lekë më shumë se plani ose 4.52% më shumë, ndërsa krahasuar me faktin e vitit të kaluar, rritja është 7.7 miliard lekë më shumë, ose 12.1% më shumë.
Tatimi mbi të ardhurat personale regjistroi 4.5 miliard lekë më shumë se plani për 5 mujorin 2025, ose 15.33% më shumë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024, rritja është 7 miliard lekë, ose 26.26% më shumë. /ekofin.al
