Në përpjekje për të frenuar mbingarkesën turistike, ishulli spanjoll Ibiza ka filluar të kufizojë numrin e makinave dhe karavanëve që mund të vizitojnë ishullin gjatë sezonit të verës. Masa hyn në fuqi nga 1 qershori deri më 30 shtator, dhe do të lejojë deri në 20,168 automjete jo-rezidente, nga të cilat vetëm 16,000 mund të jenë makina me qira, ndërsa 4,108 të tjera do të jenë për turistët që udhëtojnë me makinat e tyre përmes porteve të Barcelonës, Denias, Valencias ose Palmës.
Leje për makinat dhe karavanët
Për të hyrë në Ibiza me automjetin tuaj, duhet të aplikoni për një leje, e cila kushton 1 euro në ditë. Aplikimi bëhet në një faqe zyrtare të ngritur nga Këshilli i Ibizës. Në disa raste, kompania e tragetit mund të merret me procedurën në emrin tuaj – ndaj këshillohet të kontrolloni paraprakisht.
Karavanët, përveç lejes, duhet të paraqesin edhe rezervim të konfirmuar në një kamping të licencuar. Nuk do të lejohen më të hyjnë në ishull nëse planifikojnë të qëndrojnë në zona të egra apo anës rrugës. Motorët aktualisht janë të përjashtuar nga këto kufizime sezonale.
Pse po vendos Ibiza këto kufizime?
Ibiza, me rreth 160,000 banorë rezidentë, përballet me më shumë se 3 milionë turistë në vit, çka ka sjellë një rritje të madhe të trafikut. Numri i makinave është katërfishuar në dy dekadat e fundit, nga 51,000 në vitin 2002 në 207,000 në vitin 2022. Autoritetet shpresojnë se kjo masë do të ndihmojë në uljen e trafikut dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm.
Krahas kësaj, janë marrë edhe masa të tjera për të frenuar fluksin, si kufizimi i anijeve të lundrimit (cruise ships) dhe goditja ndaj qirave të paligjshme afatshkurtra.
A do të ndjekin shembullin edhe ishujt e tjerë të Balearëve?
Balearët tërheqin rreth 19 milionë turistë në vit, një pjesë e madhe e totalit prej 94 milionë që vizitojnë Spanjën çdo vit. Këshilli i Mallorcës po shqyrton vendosjen e kufizimeve të ngjashme duke nisur nga viti i ardhshëm, me synim zbatimin e masave që favorizojnë makinat elektrike dhe ato jo-ndotëse nga vera e vitit 2026.
Ndërkohë, ishulli i vogël Formentera, vetëm 20 km larg Ibizës, zbaton tashmë kufizime për automjetet turistike gjatë verës. Gjatë së njëjtës periudhë, 1 qershor – 30 shtator, quad bikes, karavanë dhe motorhome nuk lejohen, dhe çdo vizitor që udhëton me makinë apo motor duhet të aplikojë për një leje përmes faqes Formentera Eco.
Tarifat për lejen janë 6 euro në ditë për makinat (minimumi 30 euro), 3 euro në ditë për motorët (minimumi 15 euro), 50% zbritje për makinat hibride, përjashtim të plotë për mjetet elektrike
Formentera, që ka vetëm 19 km gjatësi, është e lehtë për t’u eksploruar në këmbë ose me biçikletë, duke shmangur nevojën për automjete private./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
