Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konfirmuar se vezët e përdorura në Kopshtin nr.1 në Gramsh kanë rezultuar të kontaminuara me salmonelë.
Nga analizat e AKU-së, më parë rezultoi se mishi i pulës dhe qumështi rezultuan negativ. Nga 79 persona të testuar, 17 rezultuan pozitivë, përfshirë 16 fëmijë dhe psikologen e kopshtit. Aktualisht 6 fëmijë trajtohen në shtëpi dhe ndodhen në gjendje të mirë.
Presidenti i Urdhërit Veterinar, Ervin Resuli, në një reagim në rrjetet sociale sqaroi se “Në datë 29.05.2025, ISUV publikoi rezultatet zyrtare për analizat mikrobiologjike të kryera mbi 5 kampione vezësh të marra zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), rajoni Elbasan. Të gjitha kampionet kanë rezultuar pozitive për prezencën e bakterit Salmonella spp., sipas standardit ndërkombëtar ISO 6579-1:2017.”
Sipas Resulit, ky rezultat është alarmant dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, veçanërisht në rastet kur produkti konsumohet pa përpunim të duhur termik. Prania e Salmonella spp. në vezë mund të shkaktojë sëmundje akute gastrointestinale tek konsumatorët, me pasoja serioze për grupet më të ndjeshme të popullatës (fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna, persona me imunitet të ulët).
Bazuar në këtë situatë, Urdhëri i Veterinerëve rekomandon që:
Të ndërmerren menjëherë masa për ndalimin e tregtimit të këtij produkti.
Të gjurmohet dhe izolohet loti i vezëve të kontaminuara.
Të kryhet një kontroll sanitar-veterinar i plotë në fermën ose subjektin që ka prodhuar ose shpërndarë produktin.
Të njoftohet konsumatori dhe të garantohet asgjësimi i produktit të pasigurt, sipas procedurave ligjore.
Përgjegjesia bie mbi AKU për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.
AKU ka pezulluar aktivitetin e kopshtit deri në përfundimin e dezinfektimit dhe analizave. Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të infektimit.
