Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kompania e sigurimeve SIGMA VIG organizoi një aktivitet të ngrohtë dhe plot ngjyra në shtëpinë e fëmijës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë, duke sjellë gëzim dhe kujdes për më të vegjlit.
Kjo nismë, e frymëzuar dhe organizuar nga vetë stafi i kompanisë, përfshiu lojëra, argëtim me animatorë profesionistë, si dhe shpërndarje dhuratash që përfshinin lodra edukative, produkte higjenike, veshje të reja dhe një pishinë portative për ditët e nxehta të verës.
Momente të veçanta u krijuan edhe nga pjesëmarrja e fëmijëve të punonjësve të SIGMA VIG, të cilët ndanë me dashuri dhe sinqeritet lojëra dhe përqafime me fëmijët e shtëpisë. Ishte një ditë që shpalosi më së miri vlerat e solidaritetit dhe kujdesit njerëzor.
“Për ne, përgjegjësia sociale nuk është thjesht një politikë – është një angazhim që lind nga zemra e stafit dhe mishërohet në veprime konkrete që synojnë të ndryshojnë sadopak jetën e atyre që kanë më shumë nevojë”, – u shpreh Drejtoresha e Departamentit të Marketingut në SIGMA VIG, Dorinela Ndrejaj.
SIGMA VIG, pjesë e Vienna Insurance Group (VIG) – një nga grupet më të mëdha të sigurimeve në Europën Qendrore dhe Lindore – mbetet e angazhuar në ndërtimin e një kulture korporative që vendos përgjegjësinë sociale në qendër të veprimit të saj. Me prezencë në më shumë se 30 vende dhe me një përvojë të gjatë në tregjet evropiane, VIG promovon vazhdimisht nisma që mbështesin komunitetet dhe fuqizojnë lidhjet ndërmjet biznesit dhe shoqërisë.
Ky aktivitet është një dëshmi konkrete e këtij angazhimi – një akt i vogël me një ndikim të madh, që sjell buzëqeshje dhe shpresë aty ku nevoja është më e madhe.



