Qeveria miraton kriteret e negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, SH.A., me shoqëri private për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve.
Në këtë kuptim, Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
Ajo do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m², që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
Gjithashtu, gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, të paktën: a) një vlerë investimi jo më pak se 15 milionë euro në periudhën kohore të 3 vjetëve; b) punësimin e jo më pak se 400 punonjësve në periudhën kohore të 3 vjetëve; c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të uniformave dhe aksesorëve të tjerë, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë; ç) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.
Ajo siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura, si edhe uniformat e aksesorët për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
Sa i përket administrimit, do të sigurojë nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a. dhe se të paktën 30 % e përbërjes së këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, ndërsa siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura. /ekofin.al
