Zinxhiri i ushqimit të shpejtë KFC do të investojë pothuajse 1.5 miliardë paund dhe do të krijojë mijëra vende pune në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë gjatë pesë viteve të ardhshme, në përpjekje për të përfituar nga rritja e kërkesës për pulë të skuqur.
Kompania, e njohur më parë si Kentucky Fried Chicken, e cila feston 60 vjetorin e pranisë së saj në tregun britanik, njoftoi se planifikon të investojë 1.49 miliardë paund për të zgjeruar dhe modernizuar rrjetin ekzistues prej 1,000 dyqanesh.
Nga kjo shumë, 466 milionë paund do të përdoren për hapjen e 500 restoranteve të reja në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, me theks në ndërtimin e pikave të reja dhe drive-through në zona kyçe si veriperëndimi i Anglisë.
Pjesë e investimit do të jetë edhe modernizimi i më shumë se 200 restoranteve ekzistuese, që përfaqësojnë 20% të rrjetit aktual të kompanisë.
Sipas KFC, plani i zgjerimit dhe përmirësimit pritet të krijojë mbi 7,000 vende të reja pune në Britani dhe Irlandë, si dhe në zinxhirin e furnizimit të saj, brenda pesë viteve të ardhshme.
Vendet e reja pune do të përfshijnë menaxherë restorantesh, punonjës kuzhine, staf për shërbim klienti dhe një rol i ri i quajtur “udhëheqës i përvojës së klientit”.
“Nuk kemi parë kurrë një kërkesë kaq të fortë për pulë të freskët dhe të skuqur sa tani,” – tha Rob Swain, menaxher i përgjithshëm i KFC për MB dhe Irlandën.
KFC vlerëson se tregu britanik i pulës së skuqur kap vlerën 3.1 miliardë paund në vit dhe pritet që kjo shifër të rritet edhe më tej, sidomos me hyrjen në treg të konkurrentëve të rinj si Popeyes, Wingstop, Dave’s Hot Chicken dhe Slim Chickens.
“Ne i kemi shërbyer klientëve në Mbretërinë e Bashkuar për 60 vjet. Jemi në një pozicion shumë të mirë për ta shfrytëzuar këtë mundësi – prandaj po dyfishojmë angazhimin tonë,” – shtoi Swain.
Sipas kompanisë, plani për krijimin e vendeve të punës do të kushtojë 583 milionë paund, ndërsa 404 milionë paund do të përdoren për të forcuar marrëdhëniet me furnitorët afatgjatë.
KFC dhe 27 partnerët e saj me francizë kanë të punësuar aktualisht 33,500 persona në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.
Në shkurt, organizatat tregtare të industrisë së mikpritjes në Britani paralajmëruan se më shumë se dy të tretat e bizneseve planifikonin të shkurtonin staf pas rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore nga punëdhënësit dhe rritjes së pagës minimale kombëtare.
“Mikpritja është e pakrahasueshme në aftësinë e saj për të krijuar vende ku njerëzit duan të jetojnë, punojnë dhe investojnë,” – tha Kate Nicholls, drejtore ekzekutive e UKHospitality.
“Kjo shpallje e rëndësishme nga KFC e vërteton këtë dhe do të ndihmojë në rritje produktive dhe punësim në të gjithë vendin.”/Përshtati nga The Guardian, ekofin.al
