Një raport i ri i udhëhequr nga OKB-ja tregon se punët e grave në vendet me të ardhura të larta kanë më shumë gjasa të zëvendësohen ose të preken nga inteligjenca artificiale (AI) sesa ato të burrave.
Sipas studimit të ri të Organizatës Ndërkombëtare të Punës së OKB-së (ILO) dhe Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Ministrisë së Çështjeve Digjitale në Poloni (NASK), automatizimi përmes AI mund të zëvendësojë afro 10% të profesioneve të dominuara nga gratë në vendet me të ardhura të larta, krahasuar me vetëm 3.5% të profesioneve të mbajtura nga burrat.
Diferenca më e madhe mes profesioneve të dominuara nga burrat dhe gratë ndodh pikërisht në vendet e zhvilluara, ku 41% e punëve të grave mund të jenë të ekspozuara ndaj AI, kundrejt 28% të punëve të burrave.
Në Evropë dhe Azinë Qendrore, 39% e punëve të grave mund të preken nga AI, krahasuar me 26% për burrat.
Studimi vëren se këto modele “pasqyrojnë strukturat profesionale”, dhe se punët më të ekspozuara ndaj AI janë të përqendruara në vendet me të ardhura të larta.
Zëvendësimi i plotë nga AI ende i kufizuar
Në përgjithësi, ILO vlerëson se një në katër punonjës në botë punon në një profesion me një shkallë të caktuar ekspozimi ndaj AI.
Për të arritur në këto përfundime, studiuesit anketuan 1,640 persona në Poloni nga fusha të ndryshme profesionale dhe të dhënat u analizuan nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë.
Bazuar në këto të dhëna dhe informacione shtetërore për vendet e punës, u zhvillua një model AI, i cili vlerësoi se sa të automatizueshme janë rreth 2,500 profesione dhe mbi 29,000 detyra pune.
Studimi gjeti se profesionet administrative si operatorët e të dhënave, daktilografët, operatorët e përpunimit të fjalëve, kontabilistët dhe arkëtarët e librave financiarë, janë më të ekspozuarat ndaj AI, për shkak të natyrës së detyrave që përfshijnë, si shënimi i takimeve apo organizimi i agjendës.
Profesione të tjera me nivel të lartë ekspozimi ndaj AI janë zhvillues të uebit dhe medias, specialistë të databazave, punonjës financiarë dhe IT.
Raporti thekson se këto statistika reflektojnë potencialin e ekspozimit, por nuk përfaqësojnë ende humbje reale të vendeve të punës.
“Zëvendësimi i plotë nga AI mbetet ende i kufizuar,” – thuhet në raport. “Pjesa më e madhe e profesioneve përfshijnë detyra që kërkojnë ndërhyrje njerëzore, ndaj ndikimi më i mundshëm i AI është transformimi i natyrës së punës – jo zhdukja e saj.”
Faktorët që ndikojnë në nivelin e humbjes së vendeve të punës
Sipas raportit, faktorë të tillë si kufizimet teknologjike, mungesa e infrastrukturës, dhe mungesa e aftësive të duhura, mund të ndikojnë ndjeshëm në nivelin e adoptimit të AI dhe ndikimin e saj në tregun e punës.
Për këtë arsye, raporti u bën thirrje qeverive, punëdhënësve dhe sindikatave që të ndërtojnë strategji gjithëpërfshirëse për të mbrojtur cilësinë e punës dhe rritur produktivetin në sektorët më të rrezikuar nga AI.
“Është e lehtë të humbësh në euforinë rreth AI,” – tha Janine Berg, ekonomiste e lartë në ILO.“Ajo që na nevojitet është qartësi dhe kontekst.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al
