Raporti vjetor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) hedh dritë mbi një sërë problematikash shqetësuese në menaxhimin e spitaleve publike në Shqipëri gjatë vitit 2024. Gjetjet përfshijnë barna të skaduara, keqadministrim financiar, si dhe shpenzime të pajustifikuara për karburant, dieta dhe udhëtime, elemente që ngrenë pikëpyetje serioze për kontrollin dhe efektivitetin e burimeve publike në shëndetësi.
Sipas raportit zyrtar të FSDKSH, gjatë vitit 2024 janë kryer kontrolle në 21 spitale universitare, rajonale dhe bashkiake me fokus në respektimin e kontratave me Fondin dhe përdorimin e buxhetit të dedikuar për barna dhe shërbime.
Auditorët zbuluan barna të skaduara në inventar, të cilat nuk ishin as të raportuara dhe as të asgjësuara sipas procedurave, dokumentacion financiar të mangët dhe shpesh të pasaktë, me mungesë justifikimesh për shpenzime të ndjeshme. Gjithashtu nga auditimi rezultoi mangësi serioze në kartelat klinike të pacientëve, përfshirë mungesën e datave të trajtimit, firmave të stafit mjekësor dhe elementëve të domosdoshëm ligjorë për gjurmueshmëri.
Ajo që bie në sy janë gjithashtu shpenzimet e pajustifikuara për karburant, dieta dhe udhëtime, të cilat shpesh nuk kishin urdhra shërbimi, destinacion apo dokumentim mbështetës.
Sipas raportit, në 21 spitalet publike të kontrolluara, dëmi ekonomik i konstatuar kap shifrën 1,208,631 lekë. Gjatë vitit 2024 u vendosën 236 masa organizative (masa për përmirësim brenda strukturës) si dhe 6 masa disiplinore ndaj punonjësve përgjegjës.

Gjithashtu, Drejtoria e Kontrollit në FSDKSH ka audituar 184 farmaci dhe agjenci, që përfaqësojnë 71.5% të shpenzimeve të përgjithshme të rimbursimit në nivel kombëtar në përfundim të të cilit ka evidentuar shkelje të protokolleve mjekësore dhe listës së barnave të miratuara, si dhe mospërputhje në administrimin e kartelave të pacientëve. Dëmi ekonomik nga këto shkelje vlerësohet në masën 694,120 lekë, ndërsa gjobat e vendosura për këto shkelje janë në vlerën 192,000 lekë.
Edhe pse rezultatet tregojnë përmirësim në zbatimin e kontratave dhe transparencën farmaceutike, FSDKSH konstaton se mungesat në barnat e rimbursueshme vijojnë të jenë problem në disa subjekte si dhe kërkohet ristrukturim i sistemit të ndjekjes së stokut dhe shpërndarjes. Për këtë nevojitet mbështetje teknologjike dhe trajnim për farmacitë./ekofin.al

