Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit, tashmë do të duhet t’u përmbahen dispozitave të Kodit Ndërkombëtar të Etikës për Profesionistët Kontabël, përfshirë standardet ndërkombëtare të pavarësisë.
Kodi, i shpallur për zbatim nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike dhe që ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare përfshin standardet ndërkombëtare të pavarësisë dhe seksionet kyçe që trajtojnë konfliktin e interesit dhe shërbimet profesionale. Kodi gjithashtu vendos një vijë të qartë ndarëse ndërmjet dhuratave të pranueshme dhe nxitjeve që cenojnë gjykimin profesional të audituesve dhe kontabilistëve.
Sipas dokumentit, nxitjet janë akte të vogla që mund të rezultojnë në papajtueshmëri me ligjet dhe rregullat p.sh. dhuratat, mikpritja, argëtimi, donacionet politike ose bamërësie, joshjet për miqësi ose besnikëri, punësimi ose mundësi të tjera tregtie, trajtim preferencial, të drejta dhe priviligje.
Kodi lejon nxitje vetëm në rastet kur ajo është e vogël në vlerë dhe e zakonshme për rrethana kulturore apo sociale; nuk ka asnjë ndikim real apo të perceptuar në pavarësinë e profesionistit, si dhe nuk krijon as pamjen e një konflikti të interesit, as varësi psikologjike ose materiale.
Të njëjtat parime vlejnë edhe për menaxhimin e konfliktit të interesit. Është detyrë e profesionistit të identifikojë rreziqet e mundshme për thyerjet e ndonjë prej parimeve themelore si dhe rëndësinë e kërcënimeve të interesit vetjak, presionin nga klientët, varësi financiare apo ndikime të jashtme e familjare etj. Në këto raste, audituesi duhet të zbatojë masa mbrojtëse nëse kërcënimi nuk mund të eliminohet, të tilla si konsultim me palë të treta të pavarura; rishikimi nga kolegë të paanshëm apo edhe refuzimin e angazhimit.
Çdo përpjekje për të ndikuar audituesin në këmbim të favoreve apo përfitimeve, qoftë edhe të paqëllimshme, konsiderohet shkelje e rëndë e etikës profesionale.
Gjithashtu, sipas Kodit, audituesit dhe firmat e auditimit duhet të respektojnë rregulla të rrepta në lidhje me honoraret dhe tarifat, me qëllim ruajtjen e pavarësisë, integritetit dhe objektivitetit profesional.
Rregullat për honoraret
Honoraret nuk duhet të jenë në një nivel të tillë që të krijojnë varësi financiare nga klienti.
Nëse një klient përbën një përqindje të lartë të të ardhurave totale të firmës, duhet të bëhet një vlerësim i ndikimit në pavarësi dhe, nëse është e nevojshme, të ndërmerren masa mbrojtëse, si për shembull rishikim i punës nga një palë e tretë.
Gjithashtu, nuk lejohet që honorari të lidhet me përfundimin e auditimit ose me ndonjë përfitim ekonomik që klienti merr si pasojë e shërbimit. Për auditimet ligjore dhe rishikimet, tarifat duhet të bazohen në kohë dhe përpjekje, jo në rezultate. Madje, profesionistët duhet të respektojnë parimin e transparencës dhe dokumentimin i tarifave, të cilat duhet të jenë të kuptueshme.
Sa u përket tarifave të ulëta për auditim, sipas Kodit ato kompromentojnë cilësinë, mund të mund të çojnë në punë të dobët dhe rrezikojnë objektivitetin.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike, përmes këtij vendimi, synon të garantojë rritjen e besimit të publikut në auditimet ligjore dhe raportimin financiar, por njëkohësisht të sigurojë që audituesit dhe kontabilistët shqiptarë veprojnë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Në një klimë ku besueshmëria e pasqyrave financiare është kyçe për investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë, rregullimi i sjelljeve që mund të komprometojnë objektivitetin është më shumë se një çështje formale, është një domosdoshmëri për stabilitetin ekonomik dhe tërheqjen e kapitalit të huaj.
Kodi vetë nuk përcakton penalitete, por mosrespektimi i tij është i ndëshkueshëm sipas ligjit shqiptar, përmes Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe strukturave disiplinore të licencimit dhe mbikëqyrjes./ekofin.al
