Komisioni Evropian përzgjedh 15 projekte për prodhimin e hidrogjenit të rinovueshëm në kuadër të ankandit të dytë të Bankës Evropiane të Hidrogjenit
Komisioni Evropian ka përzgjedhur 15 projekte për prodhimin e hidrogjenit të rinovueshëm në pesë vende brenda Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), të cilat kualifikohen për mbështetje financiare në sektorë si transporti dhe industria kimike. Projektet janë shpallur fituese në ankandin e dytë të Bankës Evropiane të Hidrogjenit (EHB) dhe do të përfitojnë gjithsej 992 milionë euro në subvencione.
Projektet e përzgjedhura pritet të mundësojnë prodhimin e afërsisht 2.2 milionë tonëve hidrogjen të rinovueshëm në një periudhë dhjetëvjeçare, duke shmangur më shumë se 15 milionë tonë emetime të CO₂, deklaroi Komisioni Evropian në një njoftim për shtyp. Projektet operojnë në sektorë si transporti, industria kimike, metanoli dhe amoniaku.
Subvencionet, që variojnë nga 8 milionë deri në 246 milionë euro për subjekt, synojnë të mbulojnë diferencën midis kostos së prodhimit dhe çmimit të tregut, duke ndihmuar në përshpejtimin e përdorimit të karburanteve të pastra. Financimi vjen nga Fondi i Inovacionit, i cili financohet përmes Sistemit të Tregtimit të Emisioneve të Bashkimit Evropian (EU ETS).
Ankandet e EHB-së kanë për qëllim rritjen e prodhimit të hidrogjenit të rinovueshëm, i cili do të ndihmojë në zëvendësimin e gazit natyror, qymyrit dhe naftës në industritë dhe sektorët e transportit që janë të vështirë për t’u dekarbonizuar.
Projekti më i madh i përzgjedhur është Zeevonk Electrolyser në Holandë, me zhvilluesin që ka premtuar prodhimin e 411,000 tonëve hidrogjen të gjelbër gjatë dhjetë viteve. Pas tij renditet projekti Kaskade në Gjermani, nga Meridiam, me 354,000 tonë.
Objekti i propozuar Kristinestad PtX në Finlandë pritet të prodhojë 258 mijë tonë hidrogjen të rinovueshëm, ndërsa projektet AGS (Spanjë), AGG280 (Spanjë) dhe H2-Hub Lubmin (Gjermani) planifikojnë prodhimin e nga 238 mijë tonë secili.
Nga projektet e përzgjedhura, 12 do të marrin prima fikse që variojnë nga 0.2 deri në 0.6 euro për kilogram hidrogjeni të gjelbër, njoftoi Komisioni Evropian.
Për herë të parë, subvencione do t’u jepen edhe prodhuesve të hidrogjenit që kanë klientë në sektorin detar dhe që kryejnë ose përdorin veprimtari furnizimi me karburant (bunkering). Ata do të përfitojnë prima nga 0.45 deri në 1.88 euro për kilogram, me një total prej 96.7 milionë euro për tre projekte.
Projektet e përzgjedhura duhet të hyjnë në fazën e prodhimit brenda pesë viteve. Ankandi i radhës i Bankës Evropiane të Hidrogjenit është planifikuar për fundin e vitit 2025, me një buxhet deri në 1 miliard euro, sipas njoftimit për shtyp./Përshtati nga Balkan Green Energy News, ekofin.al
