Të ardhurat e sipërmarrësve nga komunikimet elektronike në vitin 2024 ishin 39.3 miliardë lekë, duke shënuar rritje me rreth 4% nga viti i kaluar.
Të ardhurat e sipërmarrësve nga shërbimet e ofruara nëpërmjet rrjeteve celulare ishin rreth 28 miliardë lekë duke vijuar të zënë peshën më të madhe me 71% të totalit të të ardhurave, ndërsa të ardhurat nga shërbimet nëpërmjet rrjeteve fikse ishin 11 miliardë lekë, apo 29% e totalit të të ardhurave të tregut të komunikimeve elektronike.
Të ardhurat totale të sipërmarrësve nga shërbimet/rrjetet celulare në vitin 2024 u rritën me rreth 10% krahasuar me vitin 2023, ndërkohë që të ardhurat nga shërbimet/rrjetet fikse u reduktuan me rreth 4%.
Të ardhurat nga shërbimet celulare
Përgjatë vitit 2024 ofruesit e shërbimeve të rrjeteve celulare kanë realizuar të ardhura totale rreth 2.5 miliardë lekë më të larta se ato të raportuara në vitin 2023, duke arritur në nivelin e rreth 28 miliardë lekë.
Sipërmarrësi me të ardhurat më të larta të gjeneruar në tregun e ofrimit të shërbimeve mobile është Vodafone Albania, ndërsa pas tij me diferencë të vogël është One Albania.
Të ardhurat e gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve mobile me shumicë përbëjnë rreth 18% të totalit të të ardhurave dhe pjesa tjetër rreth 82% gjenerohen nga tregu i pakicës.
Të ardhurat nga shërbimet fikse
Të ardhurat e sipërmarrësve nga shërbimet/rrjetet fikse në vitin 2024 ishin afërsisht 11.4 miliardë lekë, duke pësuar rënie me rreth 4% nga periudha pararendëse.
Të ardhurat e gjeneruara nga sipërmarrësit e mëdhenj dhe të mesëm përbëjnë rreth 78% të totalit të të ardhurave të gjeneruara për vitin 2024.
Të dhënat e raportit tregojnë se sipërmarrësi me pjesën më të madhe në treg për sa i përket të ardhurave është One Albania me rreth 27% të tregut, i ndjekur nga Vodafone Albania me rreth 24% dhe operatorët e tjerë kryesorë që luhaten në kufijtë 3-8%.
Përgjatë vitit 2024, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer rreth 2.86 miliardë lekë investime në rrjetet e tyre duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin 2023 ku kjo shifër ishte rreth 2.7 miliardë lekë.
Sipas raportimeve, edhe në vitin 2024 investimet janë kanalizuar kryesisht në funksion të përmirësimit të aksesit të shërbimeve broadband rreth 87% e totalit, ku ndër investimet kryesore është fokusimi drejt zhvendosjes së rrjeteve të transmetimit nga teknologjia DSL drejt teknologjisë me fibër./ekofin.al

