Ashtu si edhe në vitin 2021, Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Kuçi i Vlorës ka vendosur bastin se sa mandate do të marrë forca politike që drejton në zgjedhjet e 11 majit. Parashikimi i Ramës vjen ndërsa mbeten edhe 3 ditë nga zgjedhjet dhe kreu i PS është i sigurt që më 11 maj do të marrë minimalisht 78 mandate të sigurta, nga 74 që ka aktualisht.
Kryesocialisti është i bindur se do t’i marrë PD-së një mandat në Dibër, pra do të përmbysë rezultatin në këtë qark në 3-2 në favor të PS. Shanset me 100%, Rama i sheh për të marrë edhe nga një deputet në Shkodër, Elbasan dhe Fier, krahasuar me zgjedhjet e fundit. Në Shkodër, Rama synon të marrë 4 mandate nga 3 që fitoi në 2021, në Elbasan 9 mandate nga 8 që ka aktualisht dhe në Fier 10 mandate nga 9. Me firmën e tij në një mbulesë tavoline, Rama parashikon me 100% që më 11 maj do të marrë të paktën 4 deputetë më shumë.
Shansi 50% sipas Ramës është që marrin deri në 88 mandate në rang kombëtar. Nga 1 mandat plus në Kukës (nga 1 në 2), Vlorë (nga 8 në 9), Durrës (nga 8 në 9) dhe Lezhë (nga 3 të shkojë në 4). Projeksionit, Rama i shton nga 2 deputetë plus në Dibër (nga 2 në 4), Shkodër ( nga 3 në 5), Tiranë (nga 18 në 20), Elbasan (nga 8 në 10) dhe Fier (nga 9 në 11).
Megjithatë, Kryeministri parashikon që PS nuk do të marrë as 78 dhe as 88 mandate, por diçka në mes të kësaj shifre. Tani, mbetet për t’u parë nëse zgjedhjet do të vërtetojnë prognozën e Ramës. Në 2021, ai doli 100% i saktë në parashikimin e tij të bërë në lokalin e Kuçit.

