Udhëzimi i Komisionierit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbi Marketingun e drejtpërdrejtë, trajton në mënyrë të veçantë edhe rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijëve të përfshirë në këtë aktivitet.
Sipas ligjit, “Marketing i drejtpërdrejtë”, është forma e komunikimit me persona drejtpërdrejtë të identifikueshëm, me qëllim promovimin e mallrave ose të shërbimeve, duke përfshirë reklamimin e anëtarësimit në organizata, kërkimin e donacioneve, si dhe aktiviteteve të marketingut të drejtpërdrejtë.
Udhëzimi trajton rregullat mbi të cilat duhet të realizohet përpunimi i të dhënave personale për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, mënyrën si informacioni duhet t’u vihet në dispozicion subjekteve të të dhënave, kufizimet për përpunimin e mëtejshëm, përpunimi i të dhënave të fëmijëve për qëllime marketingu (si një kategori e veçantë), si dhe masat e duhura të sigurisë dhe detyrimin e kontrolluesve për të lehtësuar ushtrimin e të drejtave të subjektit të të dhënave personale.
Në rastin kur të dhënat janë mbledhur për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, ato nuk do të përpunohen për asnjë qëllim tjetër, përveç marketingut dhe nëse subjekti i të dhënave është informuar dhe ka dhënë pëlqimin për përpunimin e mëtejshëm të synuar, përpara se ky proces të fillojë.
Në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, një individ nën moshën 18 vjeç, duhet të konsiderohet si “i mitur” dhe gëzon mbrojtje të veçantë. Në rastin kur kontrolluesit mbledhin të dhëna për të miturit, për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë parimit të minimizimit të të dhënave, në mënyrë që të mos përpunohen të dhëna personale më shumë se sa është e nevojshme për realizimin e qëllimit, duke mos cenuar natyrën e veçantë të kësaj kategorie subjektesh, përcakton udhëzimi.
Në rastet kur kërkohet pëlqimi për mbledhjen e të dhënave për qëllime marketingu, ai duhet të merret nga prindi ose kujdestari ligjor i të miturit. Kontrolluesi verifikon se prindi ose kujdestari ligjor i tij, është personi që përfaqëson të miturin.
Po kështu, informacioni i nevojshëm duhet t’i vihet në dispozicion të miturit, si dhe prindit ose kujdestarit ligjor të tij. Informacioni që i vihet në dispozicion të miturit, duhet të jetë i përshtatshëm për këtë kategori subjektesh dhe të jetë lehtësisht i dukshëm, i lexueshëm dhe i kuptueshëm.
Materialet dhe mesazhet e marketingut drejtuar të miturve, duhet të jenë të përshtatshme në mënyrë që të jenë lehtësisht të dukshme, të lexueshme dhe të kuptueshme dhe të mos cenojnë natyrën delikate personale të të miturve.
Prindi ose kujdestari ligjor i të miturit, si përfaqësues ligjor i tij, gëzon të njëjtat të drejta si i mituri, në rolin e subjektit të të dhënave personale. Në rastin kur kontrolluesi mbledh të dhënat e një të mituri, me qëllim pjesëmarrjen në një lojë, ofrimin e një çmimi ose ndonjë veprim tjetër që kërkon shpërndarjen e të dhënave të të miturit, kontrolluesi do të kufizojë përpunimin e të dhënave rreptësisht në masën që është e nevojshme, me qëllim që i mituri të marrë pjesë në këtë aktivitet.
Masat e duhura të sigurisë
Kontrolluesit përdorin masat e duhura të sigurisë, duke marrë parasysh zhvillimet e teknologjisë së sigurisë dhe kostot, mënyrën e zbatimit dhe sensitivitetin e të dhënave të grumbulluara, për të parandaluar çdo humbje ose shkatërrim aksidental, shpërndarje ose qasje të paautorizuar në të dhënat personale, që përpunohen për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, saktëson udhëzimi.
Këto masa përfshijnë, ndër të tjera, sigurinë e ndërtesave, në të cilat përpunohen të dhënat personale (përfshirë hyrjet e ndërtesave), listën e personave të autorizuar për të pasur akses në të dhëna, mekanizmat e duhur, masat e sigurisë për transferimin e të dhënave ndërmjet kontrolluesit dhe përpunuesit të të dhënave etj.
Udhëzimi parashikon gjithashtu detyrimet për të lehtësuar ushtrimin e të drejtave të subjektit të të dhënave. Kontrolluesi duhet të marrë masa për të trajtuar kërkesat në zbatim të të drejtave të subjekteve të të dhënave duke u kthyer përgjigje brenda 30 ditëve nga marrja e tyre.
Gjithashtu, në rastin kur të dhënat përpunohen për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, subjekti i të dhënave ka të drejtën e pakushtëzuar të kundërshtojë përpunimin e të dhënave të tij/saj, me efekt ligjor që kontrolluesi të ndalojë menjëherë përpunimin e këtyre të dhënave për qëllime të marketingut të drejtpërdrejtë, thuhet në udhëzim/ekofin.al
