Prokurimet publike anuluan 1641 procedura në vitin 2024.
Nga analizimi i të dhënave të raportit zyrtar të Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton se nga 6811 procedura prokurimi të publikuara, janë anuluar 1641, pra 24% sipas arsyetimeve të kryera në sistemin e prokurimit elektronik nga vetë autoritetet kontraktore.
Arsyeja kryesore për numrin më të madh të anulimeve ka të bëjë me “mosparaqitjen e asnjë oferte të përshtatshme në procedurat me një fazë”, të cilat zënë rreth 73.8% të procedurave të anuluara.
Pas kësaj arsyeje, në vend të dytë me 16.5 % renditet shkaku i gabimeve apo mangësive të rëndësishme në dokumentet e tenderit.

Në vitin 2023 rezultojnë 5250 procedura të shpallura dhe 1369 të anuluara, ndërsa në 2024 rezultojnë 6811 procedura të shpallura dhe 1641 të anuluara.
Pavarësisht se në vlerë absolute numri i procedurave të anuluara rezulton më i lartë, në raport me numrin total të procedurave të shpallura rezulton të ketë ulje nga 26% që ka qenë në vitin 2023 në 24% për 2024.
Sipas llojit të kontratave për vitin 2024 përqindjen më të madhe të procedura të anuluara e mbajnë “mallrat” me 63.4% të tyre ose 1041 procedura, me fond limit pa tvsh mbi 11 miliardë lekë. Pas tyre vijnë “shërbimet” e 24.7% të procedurave të anuluara, ndërsa “punët” përbëjnë 11.9% të tyre.
Në total, fondi limit për 1641 procedurave të anuluara kap shifrën e mbi 67 miliardë lekëve.
Ndërkohë, sa i takon llojit të procedurave, numrin më të madh të procedurave të anuluara e zë procedura e hapur e thjeshtuar me 61.8% të numrit total të anulimeve./ekofin.al

