Doganat rritën kontrollet në vitin 2024, por paralelisht u rritën ndjeshëm edhe shkeljet.
Sipas të dhënave, për vitin 2024 u kryen 1361 kontrolle ose 61% më shumë se në vitin 2023 kur numri i kontrolleve ishte vetëm 534. Po kështu në rritje ka rezultuar numri i kontrolleve me rezultat “në rregull” për vitin 2024, 63%, megjithatë paralelisht shkeljet janë rritur me 37%. Vlera totale e detyrimit të munguar, së bashku me penalitetet arriti shifrën e 14 milionë lekëve ose 19% më shumë se 2023.

Ndërkohë, nga Sektori i Mbikëqyrjes së Vlerësimit Doganor u janë dërguar degëve doganore për rishikim të vlerësimit doganor 2.240 raste. Nga rastet e kthyera përgjigje, në 1,611 prej tyre ose 90% është ndërhyrë në vlerësim, rritur kjo me 10% krahasuar me vitin 2023. Vlera e detyrimeve shtesë për deklaratat e mësipërme për vitin 2024 ka qenë rreth 60 milion lekë, duke bërë që vlera mesatare për deklaratë e detyrimit shtesë si pasojë e ndërhyrjeve të jetë rreth 37,400 lekë.
Gjithashtu në luftën kundër kontrabandës, Administrata Doganore ka pezulluar për çlirimin në qarkullim të lirë 40,911 copë veshje të ndryshme dhe aksesorë, të cilat dyshohej se shkelnin një pronësi intelektuale të markave tregtare të ndryshme si: “Louis Vuitton”, “Moncler”, “Lacoste”, “Tommy Hilfiger”,” Channel”, “Adidas”, “Prada”, “Emporio Armani”, “Calvin Klein”, “Miu Miu”, “Nokia” etj, për të cilat ka një aplikim për veprim të miratuar pranë Autoritetit Doganor. /ekofin.al
