Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton se ka përfunduar procesin e shqyrtimit për kompensim financiar dhe fizik të 31 dosjeve, të paraqitura nga subjektet e interesuar që disponojnë vendime përfundimtare që u kanë njohur të drejtën e kompensimit, nga të cilat ka miratuar për kompensim 27 dosje, ndërsa ka rrëzuar 4 kërkesa, raporton ekofin.al.
Nga këto 31 praktika, 12 prej tyre përfitojnë kompensim financiar 100%. Fondi në dispozicion për këto vendime, sipas ATP është 8,786,202.96 lekë. Gjithashtu, për sipërfaqen ku ka mbivendosje, është në dispozicion një fond prej rreth 236 mijë lekësh, i cili i paguhet në fund subjektit në favor të të cilit është zgjidhur çështja.
ATP njofton gjithashtu se për 6 aplikimi është vendosur për kompensim financiar dhe fizik nga fondi i tokës, ku 20% është kompensimi financiar me një fond në dispozicion prej 14,441,135.27 lekë, i cili do të paguhet në llogaritë bankare të subjekteve kërkuese. Ndërsa për kompensimin fizik në masën 80% të sipërfaqeve të trajtuara, është në dispozicion një sipërfaqe prej 319,219.46 m² tokë bujqësore, e përllogaritur me një vlerë treg prej rrth 58 milionë lekë.
Është miratuar vendimi për kompensim me kërkesë të veçantë për 9 aplikime, me një fond financiar në dispozicion prej 148,440,792.52 lekë, nga të cilat 29,688,158.5 do të paguhen menjëherë si këst i parë, ndërsa pjesa e mbetur do të paguhet çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit për të cilën ka aplikuar subjekti. Pagesat janë planifikuar të bëhen në 5 këste. Gjithashtu, për sipërfaqen me mbivendosje është në dispozicion një fond prej 66,064,918.5 lekë.
ATP njofton se për 4 aplikime ka përfunduar procedimi administrativ dhe kërkesat e subjekteve për kompensim janë rrëzuar. Këto subjekte nuk do të përfitojnë as kompensim financiar dhe as kompensim fizik, bazuar në vendimmarrjen e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. /ekofin.al
