Ndërgjegjësimi për të drejtat e fëmijëve, lufta kundër diskriminimit, si dhe respektimi i etikës kanë qenë në qendër të interesit dhe ankesave të publikut për përmbajtjen audiovizive.
Sipas raportit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, gjatë vitit 2024, interesi më i lartë i fëmijës ishte shqetësimi kryesor me 59.5% të rasteve, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me 16.4% të ankesave për të drejtat e fëmijëve dhe privatësinë e tyre në 2023 dhe 32% në 2022.
Kjo tregon një shqetësim më të madh të publikut lidhur me mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet mediatike të papërshtatshme. Një tjetër kategori me rritje të ndjeshme ishte ajo e shmangieve të tjera etike, e cila në 2024 përbënte 21.5% të ankesave, krahasuar me 13.3% në 2023 dhe 13% në 2022.
Kjo kategori përmbledh ankesa që nuk lidhen drejtpërdrejt me një përmbajtje të caktuar mediatike, por me problematika më të gjera në tregun audioviziv, si përdorimi i fjalorit joetik, pasaktësitë apo devijimet në ligjërim, apo moskuptimi i specifikave të gjinive mediatike.
Shtimi i kësaj kategorie ankesash shtron nevojën e intensifikimit të masave të edukimit mediatik, thuhet në raport.
Nga ana tjetër, komunikimet tregtare në median audiovizive shënuan një rënie të lehtë, nga 3.6% në 2023 në 2.3% në 2024, duke reflektuar ndoshta një kontroll më të rreptë mbi përmbajtjen reklamuese.
Në të njëjtën kohë, ankesat për shkelje jashtë objektit të AMA-s u rritën në 13.5% në 2024, krahasuar me 7.2% në 2023, por ishin megjithatë më të ulëta se në 2022 (15%).
Në vijim të ndryshimeve në Kodin e Transmetimit, raportimi i vitit 2024 i strukturon ankesat në mënyrë më të detajuar, duke identifikuar për herë të parë problematika specifike si cenimi i dinjitetit të viktimës (15.2%), cenimi i privatësisë (8.9%), e drejta e përgjigjes (8.6%), diskriminimi gjinor/seksizmi (5.7%), cenimi i dinjitetit (5.7%), pamje/akte dhune (1.7%) dhe diskriminimi racor (1.2%).
Kjo paraqitje më e hollësishme ofron një pamje më të nuancuar të problematikave mediatike. Në përgjithësi, trendi i vitit 2024 flet për një rritje të shqetësimit për interesin e fëmijës dhe etikën në media si edhe shtim të ankesave për çështje të përgjithshme etike dhe atyre jashtë objektit të AMA-s, krahasuar me vitin 2023.
Në kuadër të trajtimit të ankesave, Këshilli i Ankesave ka pasur komunikime të vazhdueshme me Bordet e Shqyrtimit të Ankesave pranë Ofruesit e Shërbimit Mediatik Audioviziv (OSHMA), të cilat janë reflektuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore nga ana e tyre, duke hequr përmbajtjet e dëmshme audiovizive nga kanalet e tyre zyrtare.
Gjithashtu, gjatë periudhës raportuese AMA ka shqyrtuar kryesisht (ex officio) 241 raste për përputhjen ligjore të përmbajtjeve të transmetuara, ku ka identifikuar mosrespektim të kërkesave të ligjit 97/2013 apo Kodit të Transmetimit në 77 raste.
Nga këto 77 raste në total, janë konstatuar se në 16 raste (21%) ka pasur përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminim. Katër prej këtyre rasteve kanë pasur diskriminim gjinor. Në këto 4 raste të rënda u aplikua “sanksion me gjobë” ndaj subjekteve audiovizive të licencuara. /ekofin.al
