Filetot e pulës me salmonelë, por edhe një sërë skandalesh të tjera lidhur me sigurinë ushqimore në Shqipëri, që nga mandarinat e kapura nga Krocia, luleshtrydhet me pesticide të ardhura nga Greqia dhe të hedhura në treg, si edhe specat shqiptare, sërish të kapura dhe të ndaluara nga vendet e BE-së, kanë sjellë shkarkimin e Drejtorit të AKU rajonale Tiranë, Fatjon Pasholli.
Në vend të tij është komanduar Alekta Hoxha, e cila deri dje kishte mbajtur postin e drejtores juridike në AKU. Në letrën e Ministrisë së Bujqësisë theksohet ndërprerja e marrëdhënieve të punës me drejtorin duke nisur nga data e sotme, për shkak se ai ka dhënë dorëheqjen.
Ndërkohë, pritet që AKU t’i nënshtrohet ristrukturimit. Në fakt, ligji i ri “Për inspektimet në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në shtator, i botuar në Fletore Zyrtare në 13 nëntor dhe që hyn në fuqi pas 6 muajsh, pra në mes të majit, parashikonte shkrirjen e AKU dhe riorganizimin e tij.
E njëjta gjë vlen edhe për një sërë strukturash të tjera, ku pritet të riorganizohen edhe një sërë organesh inspektuese në fushën e bujqësisë, mbikëqyrjes së arkivave; sigurisë dhe shëndeti në punë; në fushën e shëndetësisë, arsimit parauniversitar; turizmit; mbikëqyrjes së tregut; mbikëqyrjes së trashëgimisë kulturore; tokës, mbikëqyrjes së mjedisit dhe territorit. Në total në këtë ligj janë përfshirë ndryshime për 68 ligje të tjera specifike në të cilat parashikohen funksione inspektimi.
