Interneti ka fituar gjithnjë e më shumë përdorim vitet e fundit, si pjesë tashmë e pandashme e komunikimit individual apo të biznesit, duke zëvendësuar gjithnjë e më shumë linjat e tjera të komunikimit.
Në Shqipëri, shifrat flasin për një rritje të përdoruesve të internetit, duke preferuar më tepër mesazhet e shkruara përmes internetit sesa thirrjet telefonike të telefonisë celulare.
Sipas raportit të AKEP, tendecat kryesore zbulojnë një rënie me 12 % të pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM, që në tremujorin e katërt të 2024 ishte rreth 3,399,173 abonentë.
Po kështu rënie vjetore me 4.6 % ka shënuar edhe numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare, i cili arriti në rreth 2.5 milionë.
Ndërsa numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare pati një rritje të lehtë dhe po kështu edhe thirrjet dalëse regjistruan rreth 1 miliardë minuta, një rritje prej 0.5% krahasuar me 2023, ndërsa numri i mesazheve SMS të dërguara pësoi rënie.
Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celuare ishte rreth 56 Milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur mesatarisht rreth 8.94 GB Internet në muaj që shënon një rritje me 0.9% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2023.
Shifrat e përmbledhura për konsumin mesatar mujor për një përdorues aktiv të shërbimeve celulare ishte 145 minuta dalëse, 13 SMS dhe 8.94 GB Internet. Krahasuar me vitin 2023, rritjen më të madhe e pati konsumi mesatar i SMS-ve me 15.4%.
Të dhënat e raportit të AKEP tregojnë një rënie të shifrave për shërbimet e rrjeteve fikse, me vetëm 165 mijë abonentë në fund të vitit 2024. Edhe në këtë shërbim, preferenca është lidhja në internet e cila ka shënuar 8.6 % rritje dhe në total janë 687 mijë abonentë që përdorin këtë shërbim.
Sipas raportit, numri i pajtimtarëve me paketa trefishe (Telefoni, Internet dhe TV) përbën 23.2% të totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara ndërsa 29.9% janë me paketa “Internet dhe Telefoni” dhe 46.9% me paketa “Internet dhe TV”. /ekofin.al
