Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ruan ritmet e rritjes dyshifrore në muajt e parë të vitit 2025.
Përmirësimi i shërbimit dhe sigurisë, si dhe larmishmëria e destinacioneve të huaja, ka bërë që Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës të mos ndalet, duke njohur vetëm rritje në numrin e pasagjerëve dhe fluturimeve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit shkurt fluturuan gjithsej 632,314 pasagjerë, ndërsa në total për dy muajt e parë të vitit 1,331,815 pasagjerë, ose 11% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Kjo marrë në konsideratë se 2024 ishte viti i rekordeve për TIA-n edhe në nivel evropian, duke u kurorëzuar “aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë”.
Destinacionet e preferuara
Sa i përket numrit të pasagjerëve, shqiptarët vijojnë të fluturojnë masivisht në Londër, Bergamo dhe Romë, që janë top 3 destinacionet kryesore edhe për shkurtin.
Budapesti dhe Vjena kryesojnë listën e destinacioneve që kanë pasur rritjen më të madhe të pasagjerëve në shkurt 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, respektivisht me 109% dhe 93% më shumë.
Destinacionet italiane mbeten gjithmonë ndër të preferuarat e shqiptarëve, me Genova, e cila kryeson rritjen me 83%, Perugia me 52% dhe Bari me 38%.
Kryeqyteti spanjoll, Madridi, me një rritje 53 % në shkurt, duket se do të rrëmbejë edhe më shumë zemrat e shqiptarëve këtë pranverë, ashtu si Berlini dhe Hamburgu, po me 53 % rritje dhe Dortmundi me 50% rritje. Po kështu, një destinacion premtues është dhe Praga me 36% rritje. /ekofin.al

