Remitancat, ose paratë e dërguara nga emigrantët që jetojnë dhe punojnë jashtë për familjet e tyre në Shqipëri, prekën një rekord të ri në vitin 2024, duke tejkaluar për herë të parë shifrën prej 1 miliardë euro. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, paratë e dërguara nga emigrantët për familjet e tyre arritën në 1 miliardë e 45 milionë euro, 117 milionë euro më shumë, ose 12.6% më shumë sesa në vitin 2023.
Shtimi i numrit të shqiptarëve në emigracion, por edhe rritja e nevojave të familjeve shqiptare që jetojnë në vend, për shkak të rritjes së çmimeve dhe kostove të jetesës, ka ndikuar në një rritje të mëtejshme të mbështetjes së emigrantëve për familjet e tyre, e përkthyer në këtë rritje të fortë të remitancave, sidomos gjatë viteve të fundit.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore remitancat janë jetike për mijëra familje. Me aderimin e Shqipërisë në SEPA, zonën unike evropiane të pagesave, një nga ndikimet kryesore të pritshme do të jenë pikërisht ulja e kostove të dërgesave të remitancave. Kjo, pasi tashmë këto pagesa do të procesohet nga vendet evropiane të origjinës, njëlloj sikur të ishte një transfertë kombëtare, duke shmangur komisionet dhe pagesat e bëra deri tani në Western Union, Money Gram apo Ria. /ekofin.al
