Komisionerja për zgjerim në Bashkimin Evropian Marta Kos ishte sot në qytetin e Elbasanit, ku vizitoi sipërmarrjen sociale, ku gratë thurin qilima dhe sixhade.
Në punishten në qytetin e Elbasanit në Shqipërinë e mesme, gra dhe vajza që vijnë nga komunitete të pafavorizuara, kanë arritur të mësojnë zanate të ndryshme, por edhe të punësohen dhe të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre.
Një ndërmarrje sociale që trajnon dhe punëson gra dhe vajza, dikur ishte pronë e një grupi kriminal. Prona kaloi në administrim të AAPSK, Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila përmes projekteve të mbështetura nga BE ia kaloi Fondacionit joqeveritar “Joscelyn”, ku prona u transformua në punishte artizanale.
Komisionerja Kos u shpreh se kishte patur mundësinë të shikonte nga afër programin e financuar nga Bashkimi Evropian. Ndër të tjera u shpreh se Shqipëria ka ecur me reformat, por ka ende punë për të bërë deri në anëtarësimin e BE.
“Erdha këtu të shihja programin e financuar nga BE kemi parë projektin social ku gratë thurin tapetë. Më parë këto gra ishin viktima të dhunës dhe riintegrimi i tyre social është shumë i rëndësishëm. Do të përpiqemi që fondet tona të vijojnë që të mbështesin projekte të tilla,” tha Marta Kos.
Burime nga AAPSK i thanë ekofin.al se po vlerësohen mundësitë që në bashkëpunim me partnerët, ojf-të dhe me mbështetjen e financimeve ndërkombëtare të zgjerohet rrjeti i sipërmarrjeve sociale, duke shfrytëzuar pronat e konfiskuara nga krimi i organizuar. /ekofin.al
