Aksioni i tatimeve kundër informalitetit në tregun e punës ka prodhuar disa rezultate gjatë vitit 2024, duke sjellë rritje të kontributeve dhe gjithashtu të tatimit mbi të ardhurat personale (TAP).
Sipas raportit të Tatimeve të vitit 2024, nisma ka konsistuar në krijimin e kritereve të riskut për të evidentuar tatimpaguesit mospërmbushës të detyrimeve dhe në dërgimin e mesazheve ndërgjegjësuese për nxitjen e përmbushjes vullnetare.
Gjatë muajit tetor 2024, Tatimet u kanë dërguar mesazhe POP-UP të gjithë tatimpaguesve të regjistruar. Ndërsa në nëntor 2024 u është dërguar një mesazh 30,159 tatimpaguesve të evidentuar me risk. Gjithashtu janë realizuar 1,452 vizita inspektuese, nga të cilat 16 nga Struktura e Hetimit Tatimor.
Si rezultat, 860 tatimpagues janë dërguar për vlerësim nga Inspektorati Shtetëror i Punës në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit mes institucioneve.
Sipas raportit të ISHP për vitin 2024 u konstatuan 2600 punëmarrës informalë për të cilët u formalizua marrëdhënia e punësimit brenda procesit inspektues. Rezultati i formalizimit përllogaritet rreth 28,536,000 lekë/muaj kontribut i shtuar në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Nga krahasimi i të dhënave nga listëpagesat e dorëzuara 3 muajt e fundit të vitit 2024 ka pasur rritje, si në totalin e kontributeve, ashtu edhe në totalin e TAP.
Më konkretisht, në tetor 2024 shumatorja e kontributeve +TAP rezulton 17,286,731, 774 lekë, ndërkohë që deri në fund të vitit ajo rezulton 18,592,633,808 lekë, ose 1.3 miliardë lekë më shumë.

Gjithashtu, sipas raportit, hetimi ka rezultuar në pozicione pune me rritje page sipas sektorëve dhe periudhës krahasimore shtator 2024 – nëntor 2024. Për efekt të llogaritjes janë konsideruar me rritje page ato pozicione ku rritja është më shumë se 10%.
Sektori me numrin më të lartë të pozicioneve me rritje është ai i Shërbimit me 46.508 pozicione dhe me +252.863.865 lekë rritje në kontribute dhe TAP, i ndjekur nga prodhimi me 38,147 pozicione dhe me +145,662,006 lekë.

