Shqiptarët po parapëlqejnë gjithnjë e më shumë mjete nga Koreja e Jugut, kjo kryesisht edhe për shkak të çmimeve shumë më të lira që ato kanë, krahasuar sidomos me dy tregjet kryesore të automjeteve, Gjermania dhe Italia.
Të dhënat e DPSHTRr, për periudhën janar-shkurt, konstatojnë se për dy muajt e parë të këtij viti janë regjistruar për herë të parë 13,521 mjete, nga të cilat 28.6% janë të importuara nga Koreja e Jugut. Për herë të parë, importet nga shtetet aziatik janë konsiderueshëm më të larta, krahasuar me dy tregjet tradicionale, Gjermania me 16.7% dhe Italia me 15.3%.
Gjithashtu, një tjetër treg aziatik, siç është Kina, ka kaluar për herë të parë në importe, Shtetet e Bashkuara, duke ia afruar madje edhe Zvicrës, që në vitet e fundit ka qënë një zgjedhje e mirë për tregtarët e makinave, për shkak të raportit cilësi-çmim për mjetet e importuara nga ky shtet. Importet nga Kina përbënin 7% të totalit në periudhën janar-shkurt dhe kryesisht Kina përzgjidhet për mjetet elektrike, duke qënë se ofron prodhime cilësore dhe me çmim më të arsyeshëm përkundrejt zgjedhjeve të tjera, siç mund të jenë markat tradicionale Volksëagen, Audi, apo edhe Tesla.
Vitin e kaluar, Koreja e Jugut rezultoi i pari sa i përket mjeteve të importuara, me një total prej 18,827 mjete, ndjekur nga Italia dhe Gjermania me diferenca të vogla, përkatësisht 17,826 dhe 17,809. Të gjithë tregjet e tjera, Zvicra, SHBA, Kina e Kanadaja kanë diferencë të konsiderueshme me tre tregjet më të mëdha të importit të mjeteve. Por tashmë, të paktën nëse i referohemi dy muajve të parë të këtij viti, tendenca për importe koreane është thelluar më tej. Mbetet për t’u parë sesi do të vijojë ky trend përgjatë vitit. /ekofin.al
