Pasi pezulloi pa afatet programet dhe projektet e USAID, tani administrata Trump ka njoftuar zyrtarisht mbylljen e tyre. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, u shpreh se është marrë vendimi për mbylljen e 83% të programeve të ofruara nga USAID.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rubio theksoi se pjesa e mbetur e programeve të USAID që do të vijojnë, do të jenë nën monitorim dhe do të administrohen nga Departamenti i Shtetit.
Në postimin e tij, Rubio falënderon stafin e Departamentit të Efikasitetit të Elon Musk për punën e bërë dhe auditin e kryer në USAID.
“Pas një rishikimi 6-javor, ne po anulojmë zyrtarisht 83% të programeve në USAID. 5,200 kontratat që tani janë anuluar shpenzuan dhjetëra miliarda dollarë në mënyra që nuk i shërbenin (dhe në disa raste edhe dëmtonin) interesat thelbësore kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Në konsultim me Kongresin, ne synojmë që pjesën e mbetur të programeve që po mbajmë (afërsisht 1,000) tani të administrohen në mënyrë më efektive nën Departamentin e Shtetit. Faleminderit DOGE dhe stafit tonë që punuan me orë të tëra për të arritur këtë reformë të vonuar dhe historike,” shkruan Rubio në X.
