Radio Televizioni Shqiptar, prej disa muajsh tashmë vijon të drejtor nga një Drejtor i Komanduar, ndërkohë që tashmë prej disa javësh është edhe pa Këshill Drejtues, pasi të gjithë anëtarët dhe Kryetari u shkarkuan në bllok nga Kuvendi, për shkelje në procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm. Megjithatë, kjo situatë nuk e ka penguar, drejtuesen aktuale, të hapë tendera, jo thjesht për të siguruar vazhdimësinë normale të televizionit publik, por edhe për shuma të mëdha, për projekte të shtira në kohë.
Ekofin.al ka siguruar dokumentet e tenderit të rradhës të hapur nga RTSH, me fond limit 907 milionë lekë. Televizioni publik ka shpallur procedurën për blerjen e shërbimit për mirëmbajtjen e Rrjetit DVB-T2 me fond limit për 48 muaj. Rrjeti i transmetuesve, i cili është i ndërtuar nga 59 stacione transmetuese, të shpërndarë në të gjithë territorin e Shqipërisë përbëhet nga 11 stacione transmetuese me fuqi 1.1kW (3 transmetues secili), 33 stacione me fuqi 570W (3 transmetues secili), dhe nga 15 stacione me fuqi 50W (2 transmetues secili).
Sipas dokumenteve të tenderit, mirëmbajtja diagnostikuese do të përfshijë analizimin dhe diagnostikimin e gabimeve në sistem për të parandaluar defektet e rënda, të cilat mund të kërkojnë kosto të mëdha për t’u riparuar më vonë. Ky shërbim do të realizohet nga stafi mirëmbajtës menjëherë pasi të identifikohet si nevojshmëri.
Fondi limit dhe vlera e pritshme e kontratës për 12 muaj vlerësohet në rreth 227 milionë lekë pa tvsh.

Gjithashtu, në procesverbalin argumentues sqarohet pse procedura nuk është me lote. Ashtu siç është shpjeguar edhe në specifikimet teknike, RTSH kërkon të sigurojë Operimin, Diagnostikimin dhe riparimin e difekteve, Mirëmbajtes Periodike dhe Urgjente në të gjithë elementët përbërës të rrjetit të shpërndarjes DVB-T2, si: Head-End, sistemi i rrugëzimit, sistemi i transportit me mikrovalë, sistemi i transmetuesve DVB-T2, burimet e energjisë, sistemet e monitorimit, ftohja e ajrit. Këto elementë kryejnë funksione zinxhir dhe në rast problematikash është më eficente zgjidhja në rastin kur studimi i hallkës problematike bëhet nga operatori ekonomik përgjegjës, për gjithë sistemin në total. Identifikimi i problemit dhe ndarja e përgjegjësisë se cilës prej elementëve i përket një problem i caktuar do e vështirësonte menaxhimin e kontratës dhe aplikimin e penaliteteve, thuhet në argumentimin e RTSH.
Por, lidhja e kontratës, me një vlerë të tillë për 4 vitet e ardhshme, hedh dyshime serioze për ndonjë pazar, tani që situata është e tillë në RTSH, pa një Drejtor të Përgjithshëm të emëruar dhe pa po ashtu pa Këshill Drejtues të zgjedhur. /ekofin.al
