Shqipëria merr një tjetër certifikim të rëndësishëm ndërkombëtar, sa i përket një viti fantastik 2024 për turizmin. Referuar shifrave të publikuara nga Organizata Botërore e Turizmit (UN Tourism), vendi ynë rezulton i pari në Botë, si edhe në Evropë sa i përket rritjes së turizmit në vitin 2024, krahasuar me periudhën para-pandemike që merret si referencë në industri, vitin 2019.
Sipas këtij raporti, Shqipëria shënoi në vitin 2024 rritje me 80% të turizmit, krahasuar me 2019, duke lënë pas edhe shumë destinacione të tjera të njohura botërore, si Arabia Saudite, me 69%, Kolumbia 37%, Maorku 35%, Republika Domenikane, me 32%, etj.
Gjithashtu, edhe në Evropë, vendi ynë ka lënë pas me diferencë shumë të madhe vendet e tjera, si Andorra, Malta, Serbia, etj. Gjithmonë sa i përket rritjes së turizmit në vitin 2024, krahasuar me vitin 2019.
Informacionet e UN Tourism, janë ndarë edhe nga Kryeministri Rama në rrjetet e tij sociale.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Turizmit, në vitin 2024, përgjithësisht turizmi ndërkombëtar shënoi një vit shumë të mirë, duke rikuperuar në masën 99% nivelet e parapandemisë. 1.4 miliardë turistë u regjistruan në të gjithë botën në vitin 2024, me një rritje prej 11% krahasur me vitin 2023, ose 140 milionë më shumë. /ekofin.al


