Subjektet e interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, do të kenë kohë deri në datën 31 dhjetor 2026 për të paraqitur kërkesat e tyre.
Ndërsa entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhe 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026.
Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 5 vjet nga marrja e statusit special.
Ndryshimet janë publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 26.02.2025 dhe do të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit.
Ndryshimet ligjore në investimet strategjike konfirmojnë se statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” e përfitojnë, gjithashtu, investitorët/projektet investuese për të cilat, pavarësisht se nuk janë parashikuar të realizohen në një nga sektorët kyç të investimeve si energjia, turizmi, bujqësia etj, parashikohet që vlerën totale të kapitalit investues të projektit ta kenë të barabartë ose më të madhe se 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) euro dhe pasi të kenë marrë miratimin paraprak të ministrisë së linjës.”
Me ndryshimin e ri ligjor lejimi i përdorimit të brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve si stacione plazhi, në funksion të realizimit të një projekti investues strategjik në fushën e turizmit miratohet me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike pas marrjes së mendimit paraprak nga institucionet, kompetencat e të cilave shtrihen në këto zona.
Me ligjin e mëparshëm miratimi bëhej me vendimin e Këshillit të Ministrave.
Do të jetë KIS ai që do të përcaktojë afatin kohor të lejimit të përdorimit, i cili nuk mund të jetë më shumë se 30 vjet, si dhe koordinatat përkatëse.
Marrëveshja përkatëse lidhet ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe investitorit, në mbështetje të vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe sipas koordinatave të përcaktuara në të. Modeli i marrëveshjes tip miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Tarifa që aplikohet për lejimin e përdorimit të brigjeve përcaktohet me vendim të këshillit bashkiak. Në çdo rast, gëzimi i përdorimit të brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi fillon efektet pas vënies në funksion të strukturës akomoduese turistike.”
Gjithashtu Komiteti i Investimeve Strategjike vendos pezullimin e përkohshëm për një periudhë të përcaktuar rast pas rasti, por në çdo rast jo më shumë se dy vjet, të çdo veprimi nga ana e institucioneve shtetërore të përfshira në dhënien e masave mbështetëse, në rast se gjatë zbatimit të projektit konstatohet se ka mospërmbushje të detyrimeve të marra përsipër nga ana e investitorit dhe mosrespektim të afateve të caktuara.
Pezullimi ka efekt deri në momentin e plotësimit të afatit dhe përmbushjes tërësisht të detyrimeve nga ana e investitorit.
KIS ka gjithashtu të drejtë të shfuqizojë vendimin për statusin e investimit kur investitori nuk i përmbush tërësisht detyrimet e marra përsipër dhe ka të drejtë të anulojë vendimin për dhënien e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë.” në rast se konstaton dhe vërteton se në projektin investues ka të dhëna të pavërteta apo ndryshim të të dhënave të dala rishtazi.
Shfuqizimi apo anulimi i vendimit për dhënien e statusit nuk përjashton investitorin nga përgjegjësia civile apo penale për dëmin e shkaktuar, sipas legjislacionit në fuqi./ekofin.al
