Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur tenderin për Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore, me fond limit mbi 1 miliardë lekë, ose rreth 10 milionë euro. Kohëzgjatja e kontratës për të realizuar këtë projekt është përcaktuar për 60 muaj, ose 5 vjet, duke pasur parasysh natyrën komplekse të projektit dhe mënyrës së financimit. Bëhet fjalë për integrim dhe zhvillim të mëtejshëm të sistemeve që janë aktualisht të ngritura në gjykatat në shkallë vendi.
Ky projekt përfshin një sistem të integruar që lidhet me sisteme të tjera dhe synon të jetë i aksesueshëm nga institucionet e drejtësisë dhe sistemet qeveritare. Për këtë arsye, realizimi i tij kërkon financim shumëvjeçar dhe të strukturuar, i cili nuk mund të përmbushet brenda kufizimeve të një viti buxhetor. Financimi i projektit është i garantuar përmes Marrëveshjes së Grantit të lidhur ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë (KLGJ) dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), në emër të Suedisë. Ky grant mbështet projektin “Forcimi i Efikasitetit dhe Cilësisë së Ofrimit të Shërbimit Gjyqësor” dhe bazohet gjithashtu në planifikimin e buxhetit afatmesëm dhe afatgjatë për periudhën 2025-2027.
Kërkesat kryesore për këtë sistem ka të bëjë me krijimin e një platforme elektronike e centralizuar, e aftë për të menaxhuar plotësisht organizimin, regjistrimin, funksionimin, dhe veprimtarine e Sistemit të Menaxhimit të çështjeve në përputhje me hartën e re të sistemit gjyqësor.
Zgjidhja për Software e Sistemit te ri të Menaxhimit të çështjeve (ICMIS) do të jetë jo vetëm për gjykatat, por do të mundësojë integrimin me të gjitha institucionet e drejtësisë si dhe do të konsultohet nga palët/individët e autorizuar.
Gjithashtu pritet rritja e transparencës në lidhje me procedurat e regjistrimit dhe menaxhimit të çështjeve, në përputhje me hartën e re të sistemit gjyqësor dhe shërbimeve që lidhen me të.
Zgjidhja Software duhet të ofrojë kapacitetet teknike, fleksibilitetin dhe mundësinë e zgjerimit në të ardhmen, duke mbështetur nevojat për ndryshim e përmirësim, në kuadër të rritjes së përdorueshmërisë së sistemit, duke mbështetur mjedisin ergonomik të punës së përdoruesve të sistemit.
Që nga viti 2005, në gjykatat shqiptare funksionojnë dy sisteme të ndryshme elektronike të menaxhimit të çështjeve (ArklT dhe ICMIS). Aktualisht rezulton se nga 38 gjykata në territorin shqiptar, 36 prej tyre përdorin sistemin ICMIS. Ndërsa vetëm dy gjykata, perkatesisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përdorin sistemin ArklT.
Sistemi i ri i menaxhimit te çështjeve gjyqësore ICMIS do të jetë një zgjidhje dhe sistem që do të integrohet me të gjitha institucionet e drejtësisë jo vetëm për gjykatat, si dhe do të aksesohet direkt ose nëpërmjet ndërveprimit, nga palët/individët e autorizuar. /ekofin.al
