Energjia e rinovueshme, prodhimi dhe eficienca e energjisë janë disa nga prioritetet e qeverisë për vitin 2026-2028.
Qëllimi kryesor i sektorit është që deri në vitin 2030, të bëhet një eksportues neto i energjisë, duke balancuar prodhimin dhe konsumin e energjisë vendase, duke reduktuar ndikimet mjedisore, duke nxitur zhvillimin me karbon të ulët, duke rritur kontributet e energjisë së rinovueshme, si dhe duke rritur pavarësinë e energjisë përmes diversifikimit të burimeve të energjisë dhe reduktimin e varësisë nga tregjet globale.
Dokumenti i Politikave Prioritare 2026-2028 kategorizon projektet me rëndësi unike për vendin sipas nivelit të prioritetit që kanë në A, B dhe C, si dhe në bazë të statusit të maturuar, pjesërisht të maturuar dhe të pamaturuar. Projektet e matuarara, konsiderohen ato projekte për të cilat është kryer studimi i fisibilitetit dhe është konsideruar fisibël ose kur projekti është në fazë të avancuar të përpilimit të dokumenteve teknike.
Projektet me status të maturuar në fushën e energjisë janë zhvillimi i projektit të impiantit fotovoltaik 129Mwp, panele lundruese në Vaun e Dejës, me vlerë 13,860,000 euro, si dhe ndërtimi i Impiantit fotovoltaik 50 mwp në Belsh, me vlerë 40,000,000 euro me bashkëfinancimin e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa rehabilitimi elektromekanik i Hecit të Vaut të Dejës do të kushtojë 110.5 milionë euro dhe përbën një projekt me rëndësi kombëtare për prodhimin e energjisë.
Në kuadër të eficiencës së energjisë projektet me rëndësi kombëtare janë instalimi i matësve të zgjuar dhe balancimi në pikat e transformimit, si dhe sistemi CRM/billing me vlerë 330 milionë euro, po kështu digjitalizimi i sistemit të transmetimit të Shqipërisë (OST) me vlerë 51.5 milionë euro, si dhe Programi i Efiçiencës së Energjisë në Sektorin e Transmetimit – ndërtimi i linjës së transmetimit me dy qarqe 220 kV Tiranë – Rrashbull dhe Unaza 110 kV e Tiranës me vlerë 49 milionë euro.
Qeveria gjithashtu ka si prioritet prodhimin e 30% të energjisë elektrike nga centralet diellore.
Zhvillimet në sektor gjatë vitit 2024 nxorën në pah rritjen e jashtëzakonshme të energjisë diellore, e cila kontribuoi në 6.75% të totalit të energjisë së prodhuar (430,000 mwh), një rritje e konsiderueshme nga 1% në 2023 (72,500 mwh).
Vetëm centrali diellor i Karavastasë përbënte 55% të prodhimit të energjisë diellore. Në vitin 2024 u dhanë një rekord prej 16 licencash të reja për projektet diellore, me kapacitet të planifikuar, gjithsej, 253.14 mw. Kjo ka tejkaluar 9 licencat në 2023 (102 mw) dhe 15 në 2022 (225 mw).
Impianti diellor lundrues në Vaun e Dejës (12,97 mwp) ka avancuar drejt zbatimit, i parashikuar të gjenerojë mesatarisht 17,822 mWh në vit. Rregullimet ligjore të paraqitura u mundësonin prodhuesve dhe konsumatorëve që kapacitete më të larta diellore (mbi 0.5 mw) të lidhen me rrjetin pa stimuj nga qeveria. Gjatë vitit 2024 janë iniciuar ankandet për projektet solare 300 mw me marrëveshje afatgjata të blerjes nga qeveria./ekofin.al
