Administrata Tatimore, përmes Modulit të Riskut, identifikoi 604 tatimpagues me risk për shmangie tatimore.
Ndër rezultatet kryesore të aksionit ishin 21 subjekte të inspektuara, 10 tatimpagues të regjistruar në skemën e TVSH-së; 9 tatimpagues me shkelje për punonjës të padeklaruar dhe moslëshim fature tatimore, si dhe mosafishim të çmimeve.
Nga aksioni gjithashtu u njoftuan 573 tatimpagues për të përmbushur detyrimet në mënyrë vullnetare, me qëllim shmangien e penaliteteve.
Studimi i OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) për vitin 2024 tregoi se informaliteti në tregun shqiptar të punës është i përhapur, por pjesa më e madhe e tij është e përqendruar te punëtorët me paga të ulëta, ndërsa 20% e fenomenit dominohet nga ata që marrin paga të larta.
Në Shqipëri, informaliteti në tregun e punës është i përqendruar 60% në pagat e ulëta, 20% në pagat mesatare dhe 20% në pagat e larta. Informaliteti në tregun e punës, përveçse krijon kosto fiskale dhe ekonomike, shkakton probleme sociale afatgjata. Kjo kategori nuk përfiton nga sistemet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe rrezikon të trashëgojë të njëjtën situatë tek fëmijët e të punësuarve informalisht dhe përgjithësisht jashtë sistemit ligjor.
Kjo kategori e madhe punëtorësh në sektorin informal mban dy barra kryesore, mungesën e të drejtave ligjore dhe pagat e ulëta, thekson OECD. Informaliteti në pagat e larta është i përqendruar te punëtorët që janë shumë produktivë (ndoshta për shkak të aftësive më të larta) dhe që kanë të ardhura të larta që kërkojnë të mos deklarojnë një pjesë të të ardhurave të tyre për qëllime tatimore.
Ndërsa punëtorët informalë me paga të ulëta zakonisht kanë njohuri bazë dhe punojnë në sektorë që nuk kërkojnë aftësi, por më tepër punë fizike. Përafërsisht 45.0% e punëtorëve informalë globalisht kanë vetëm arsim fillor ose më pak, ndërsa kjo shifër është vetëm 7.0% për punëtorët formal. /ekofin.al

