Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli priti sot në një takim misionin e ekspertëve të TAIEX, financuar nga BE, i përbërë nga Boris Kastelic, drejtor i Departamentit të Doganave dhe Branko Gregorič, koordinator i Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Financave të Sllovenisë.
Qëllimi i këtij misioni është të ndihmojë Administratën Doganore Shqiptare në përgatitjen e Planit të Veprimit të “Strategjisë së Biznesit të Doganave 2023-2027”, e hartuar gjithashtu me asistencën e Bashkimit Evropian me qëllim modernizimin e administratës doganore në funksion të lehtësimit të tregtisë.
Në fjalën e tij, Gazheli theksoi se doganat u vlerësuan maksimalisht nga Komisioni Evropian në procesin “Screening” dhe se prioritetet kryesore të Administratës Doganore për katër vitet e ardhshme janë digjitalizimi dhe forcimi i kapaciteteve administrative në procesin drejt një dogane moderne sipas standardeve të BE-së.
Ekspertët e TAIEX-i vlerësuan progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit kryesisht për kapitullin 29 “Bashkimi Doganor” si dhe theksuan se administrata doganore shqiptare duhet t’i përshtatet sfidave të bashkimit doganor me BE-në, sipas praktikave më të mira.

