Edhe pse reshjet kanë pushuar e dielli ka dalë, shumë banesa dhe objekte në qytetin e Durrësit kanë prani të lartë uji, pas përmbytjeve të ditës së djeshme.
Situata paraqitet e rënduar në zonën e ish-Kënetës, ku rrugët dytësore vazhdojnë të jenë të pakalueshme, pasi niveli i ujit nuk ka rënë.
Situatë problematike mbetet në Shkozet, Sukth, Katundi i Ri. Uji ka hyrë në rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë në zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtëpi në Rrashbull.
Autoritetet kanë ndërhyrë për të evakuar 10 familje, duke i zhvendosur përkohësisht te Kovaleshenca.
Edhe burgu i Durrësit ndodhet nën pushtetin e ujit. Pompa që është vënë në dispozicion për të tërhequr ujin dhe derdhur në pusetë, nuk po funksionon.
Ministria e Mbrojtjes në raportin e përditësuar për situtatën në Durrës, njofton se rreth 40 hektarë tokë bujqësore ndodhet nën ujë.
Teksa situata në akset kryesore rrugore në Durrës është normalizuar, zona e Durrësit te Ri, Nishtulla, Shkozet dhe Plazh ka problematika.
