Ndryshimet e shpejta teknologjike kanë ndikuar jo vetëm në madhësinë dhe natyrën e shërbimeve financiare, por edhe në mënyrën e shpërndarjes së tyre nëpërmjet kanaleve digjitale, duke sjellë kështu një rritje të shtuar të këtyre shërbimeve.
Në këtë këndvështrim, për herë të praë, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Rrjeti Ndërkombëtar për Edukimin Financiar (INFE) ka përfshirë në pyetësorin e vitit 2023, pyetje të cilat kanë të bëjnë me njohuritë, sjelljet dhe qëndrimet financiare digjitale, për të llogaritur indeksin e kulturës financiare digjitale sikurse ka vepruar edhe me matjen e indeksit të kulturës financiare.
Vlerësimet e marra për vitin 2023 tregojnë se indeksi i kulturës financiare digjitale për Shqipërinë është 39 nga 100 që është vlera maksimale e tij. Ky indeks qëndron përkatësisht 13 dhe 16 pikë më poshtë se vlera mesatare e indeksit të vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë vrojtim dhe atyre të OECD-së, ku ky tregues rezulton respektivisht 52 dhe 55 pikë.
Gjithashtu, në këtë vrojtim është realizuar një llogaritje mbi përqindjen e individëve të cilët zotërojnë minimumin e kulturës financiare digjitale, të shprehur në një indeks me vlerë 70 e lart. Të dhënat tregojnë se më pak se 10% e individëve në Shqipëri kanë minimumin e kulturës financiare digjitale. Kjo përqindje është pothuajse tri herë më e ulët krahasuar me mesataren e vendeve të OECD-së, si dhe vendeve pjesëmarrëse në vrojtim, ku ky tregues rezulton të jetë përkatësisht 34% dhe 29%
Përqindjen më të ulët të pohimeve të sakta, individët në Shqipërinë e kanë dhënë në lidhje me ndryshimin e fjalëkalimeve që përdorin në faqet e internetit për blerjet online, ku vetëm 8% e tyre pohojnë se e bëjnë atë. Për mesataren e vendeve pjesëmarrëse në vrojtim dhe për vendet e OECD-së kjo përqindje rezulton respektivisht 23% dhe 26%, afërsisht 3 herë me e lartë krahasuar me të dhënat për Shqipërinë.
Përqindje të ulët kanë individët në Shqipëri edhe në lidhje me përdorimin e të dhënave personale të cilat shërbejnë për t’u targetuar me oferta të personalizuara tregtare ose financiare. Gjithashtu, me përqindje të ulët rezulton edhe njohja e tyre në lidhje me sigurinë e përdorimit të rrjeteve publike të Wi-Fi për blerje në internet si dhe të kuptuarit e kontratave digjitale.
Nivelet e ulëta të përqindjeve tregojnë se individët në Shqipëri nuk janë shumë të ndërgjegjësuar për sa u përket rreziqeve që vijnë nga blerjet online, përdorimi i rrjeteve jo të sigurta të Wifi-t, si dhe pasojave të mundshme. Kjo tregon për një mungesë të kulturës financiare digjitale nga ana e tyre.
Krahasuar me indeksin total, të dhënat tregojnë se burrat, të rinjtë, individët me nivel të lartë arsimor dhe të ardhurash, të punësuarit, si dhe individët që jetojnë në zonat urbane kanë një nivel më të lartë të kulturës financiare digjitale, si dhe të nënkomponentëve përkatës krahasuar me grupet e tjera të individëve.
Ndërkohë që një nivel më të ulët të kulturës financiare digjitale rezulton të kenë gratë, të moshuarit, individët me nivel të ulët arsimimi dhe të ardhurash, individët jashtë forcës së punës dhe të papunët, si dhe individët që jetojnë në zonat rurale./ekofin.al
