Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë mbi kulturën financiare tregon se shqiptarët zotërojnë njohuri të pakëta të saj, si dhe kanë mirëqenie financiare të ulët.
Vrojtimi është realizuar me një grup prej 1,000 individësh të moshës nga 18-79 vjeç, me një shpërndarje proporcionale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të dhënat e përzgjedhjes tregojnë se 51% e individëve janë gra dhe 49% e tyre janë burra. Më shumë se gjysma e individëve i përkasin moshës së mesme ( 30-59 vjeç), të ndjekur nga të moshuarit me 27% dhe më pas të rinjtë që përbëjnë 20% të të përzgjedhurve.
Të dhënat për vitin 2023 tregojnë se indeksi i kulturës financiare të individëve në Shqipëri është 59 nga 100 që është niveli maksimal. Indeksi tregon se individët zotërojnë 59% të totalit të njohurive, sjelljeve dhe qëndrimeve të duhura financiare. Ky vlerësim rezulton i ngjashëm me mesataren e 39 vendeve pjesëmarrëse në këtë vrojtim ndërkombëtar që rezultoi 60 nga 100 dhe qëndron pak më poshtë se mesatarja e vendeve të OECD-së 63 nga 100.
Rezultatet tregojnë se vetëm 27% e individëve në Shqipëri zotërojnë minimumin e kulturës financiare. Këta janë individë që e kanë indeksin e kulturës financiare të paktën 70 nga 100, përkundrejt respektivisht 34% dhe 39%, që rezulton ky tregues për vendet pjesëmarrëse në vrojtimin ndërkombëtar si dhe për vendet e OECD-së.
Në lidhje me njohjen dhe përdorimin e produkteve financiare, individët në Shqipëri karakterizohen nga një nivel i lartë i njohjes së produkteve financiare, por një nivel më i ulët i përdorimit të tyre. Indeksi i mirëqenies financiare të individëve në Shqipëri vlerësohet 31 nga 100 dhe rezulton më i ulët se mesatarja e vendeve që kanë marrë pjesë në vrojtim si dhe e vendeve të OECD-së me përkatësisht 42 nga 100 dhe 47 nga 100.
Ky vlerësim tregon se individët në Shqipëri janë të pakënaqur me situatën e tyre financiare, si dhe ndihen të pasigurt për të ardhmen e tyre. Ndërkohë që ata rezultojnë të kenë më pak rezerva dhe aftësi për të absorbuar goditjet negative financiare.
Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, individët me nivelin më të ulët të kulturës financiare janë gratë, të rinjtë, të moshuarit, individët me nivel të ulët arsimimi, individët jashtë forcës së punës dhe të papunët, individët me nivel të ulët të të ardhurave, si dhe ata që jetojnë në zonat rurale./ekofin.al

