Nga sot e tutje nuk do të ketë më “gjoba me normë” nga ana e Policisë Rrugore. Këtë ka theksuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, në analizën vjetore të rrugores.
Proda ka kërkuar nga strukturat e Policisë Rrugore, reagim të menjëhershëm, angazhim dhe përkushtim më të madh, për të parandaluar ngjarjet rrugore dhe për të ndërhyrë në ato akse ku ka më shumë ngarkesë.
“Shërbimi i Policisë Rrugore duhet të jetë model, në performancë, në komunikim, në profesionalizëm dhe në ndjenjën humane për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë”, tha Proda.
Proda theksoi se “nuk dua sasi masash administrative dhe cilido nga ju që do t’i masë treguesit e punës me sasinë e masave administrative, automatikisht do ta lëviz nga detyra.”
“Dua cilësi në punë dhe të ndëshkoni ata që vërtet janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, ata që xhirojnë gomat dhe shkaktojnë ndotje akustike duke u kthyer në shqetësim për qytetarët. Ata drejtues automjetesh që parkojnë mbi trotuare, duke penguar lëvizjen e këmbësorëve dhe të nënave me karroca me fëmijë, si dhe ata që parkojnë në rrugë, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve”, tha Proda.
Proda shtoi më tej se në fokus të shërbimeve të Policisë Rrugore të jetë evidentimi dhe ndëshkimi i atyre drejtuesve të automjeteve që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, që arrijnë deri në tri herë mbi normën e lejuar, atyre që kryejnë parakalime të gabuara, përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të atyre që drejtojnë automjetet, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
“Këto janë detyra prioritare për të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore dhe për ju shefat e sektorëve dhe të Komisariatit të Policisë Rrugore. E gjithë Drejtoria e Policisë Rrugore duhet të jetë në detyrë, në krye të shërbimeve dhe jo të komandoni nga zyrat”, tha Proda.
