Shtetasit e huaj e kanë përdorur në masë Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për të vizituar Shqipërinë. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT për hyrje daljet e shtetasve gjatë vitit 2024, të analizuara nga ekofin.al, rezulton se të huajt që kanë përdorur portën e vetme hyrëse përmes ajrit në Shqipëri janë 49.2% më shumë sesa shtetasit shqiptarë.
Sipas të dhënave, 6,379,328 të huajt kanë hyrë ose kanë dalë përmes aeroportit, ndërkohë që në total hyrje daljet e shtetasve shqiptarëve janë 4,270,050.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) raportoi se gjatë vitit 2024, pistën dhe infrastrukturën e aeroportit e kanë përdorur rreth 10.7 milionë pasagjerë, me një rritje të numrit prej 48% më shumë sesa në vitin 2023. Me këto shifra, Aeroporti i Rinasit ishte jo vetëm aeroporti me rritjen më të shpejtë të pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor, por edhe “mbreti” i rajonit duke tejkaluar për herë të parë edhe aeroportin e Beogradit që numëroi vitin e kaluar 8,364,000 pasagjerë.
Sipas të dhënave të publikuara nga TIA, aeroporti ka realizuar 68,346 fluturime civile gjatë vitit 2024, ku sipas përllogaritjeve në një ditë ka pasur mesatarisht 187 ulje-ngritje avionësh, ndërsa në një orë janë kryer thuajse 8 fluturime. Rritja e numrit të fluturimeve krahasuar me vitin 2023 ishte 35%. Kjo ndikuar kryesisht nga shtimi i destinacioneve të linjave low-cost, Wizz Air dhe Ryanair, të cilat janë dominuese në tregun e fluturimeve. /ekofin.al

