Siç u paralajmërua më parë nga Kryeministri Edi Rama, është hedhur për konsultim publik projektligji “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”.
Sipas dokumentit, Banka e Zhvillimit do të synojë financimin e shoqërive shqiptare, veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe start-up-eve. Përmes financimit synohet rritja, konkurrueshmëria dhe zgjerimi i tyre në tregjet ndërkombëtare. Në fokus do të jetë gjithashtu promovimi i eksporteve të mallrave dhe shërbimeve shqiptare nëpërmjet mbështetjes financiare, si dhe financimi i projekteve publike që kanë përparësi për ekonominë e vendit.
BZH mund të kryejë gjithashtu veprimtari me objektiva tregtarë, bazuar në kushte tregu dhe parimet e konkurrencës së lirë, duke synuar kthime të krahasueshme me ato të tregut, me kusht që kjo veprimtari të jetë plotësuese e financimit të ofruar nga bankat tregtare.
Aksionari i parë i BZH-së është Shteti Shqiptar. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim Ministrinë që përfaqëson Shtetin Shqiptar në cilësinë e aksionarit të bankës.
Përveç Shtetit Shqiptar, aksionet në BZH mund të zotërohen nga institucione financiare ndërkombëtare, si banka dhe fonde zhvillimi e investimi evropiane, institucione financiare ndërkombëtare dhe vendase të njohura, si dhe nga entitete të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pjesëmarrja e Shtetit Shqiptar nuk do të jetë më e vogël se 51% e kapitalit të regjistruar të aksioneve në çdo kohë. Aksionet e mbajtura nga Shteti Shqiptar, për të ruajtur këtë pjesëmarrje minimale, do të jenë të patransferueshme.
Një nga objektivat e Bankës së Zhvillimit do të jetë gjithashtu mbështetja e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës fizike dhe digjitale, për të nxitur një ekonomi të qëndrueshme dhe të orientuar drejt teknologjisë.
Kapitali fillestar i Bankës, i kontribuar dhe i nënshkruar nga Shteti Shqiptar, është 10 miliardë lekë dhe banka nuk është subjekt i tatimit mbi fitimin.
Sa i përket mënyrës së financimit theksohet se BZH mund të mbledhë fonde përmes mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku dhe instrumente të tjera financiare, të garantuara nga Shteti Shqiptar.
Banka mund të bashkëpunojë me Postën Shqiptare Sh.a. ose shoqëri të lidhura me të. Në këtë bashkëpunim, Posta Shqiptare ose entitetet e saj të lidhura do të luajnë rolin e ndërmjetësit midis BZH-së dhe publikut që dëshiron të përfitojë nga instrumentet financiare të lëshuara nga BZH, duke siguruar një qasje më të lehtë dhe efektive për qytetarët, thuhet në relacion. /ekofin.al
