Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë mbi gjendjen financiare dhe huamarrjes së familjeve në Shqipëri ka gjetur se 95% e familjeve të intervistuara zotërojnë të paktën një pasuri të paluajtshme.
Kjo tregon për një rritje të vogël me 0.3 pp krahasuar me gjashtëmujorin e e parë të vitit 2024 dhe rënie 0.2 pp krahasuar me vitin 2023. Familjet e përgjigjura deklarojnë se zotërojnë në total 1415 prona të patundshme të llojeve të ndryshme ku: 93% e tyre (971 familje) zotërojnë ‘1-2 prona të patundshme’ kryesisht të llojit ‘shtëpi banimi’ ose kombinim i një shtëpie banimi dhe një prone tjetër si ‘tokë’, ‘dyqan’, ‘godinë’ etj.
Kjo peshë është rritur me 1 pp krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 0.6 pp krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, vetëm 1% deklarojnë se zotërojnë ‘më shumë se 2 prona të patundshme’, (shtëpi dhe tokë/dyqan etj.), ndërsa rreth 6% kanë deklaruar se ‘nuk zotërojnë asnjë pronë’.
Duke e fokusuar analizën vetëm në grupin e familjeve huamarrëse (186 familje), rezulton se këto familje deklarojnë gjithsej 250 prona të patundshme, ku 70% e tyre janë ‘shtëpi’, 27% janë ‘toka’ dhe pjesa tjetër janë ‘dyqane’ dhe ‘godina’ dhe lloje të tjera pronash.
Në shpërndarjen e familjeve huamarrëse sipas numrit të pronave që zotërojnë, rezulton se: rreth 94% e tyre (174 familje) zotërojnë ‘1-2 prona të patundshme’ në momentin e intervistimit, dhe kjo peshë është rritur me 1 pp si në terma gjashtëmujorë ashtu edhe në terma vjetorë.
Në shumicën e rasteve këto prona janë një shtëpi banimi ose kombinimi i një shtëpie dhe një sipërfaqe toke. Vetëm 1% e familjeve huamarrëse (4 familje) deklarojnë se zotërojnë ‘më shumë se dy prona’ ndërkohë që rreth 6% e familjeve huamarrëse (15 familje) kanë deklaruar se ‘nuk zotërojnë asnjë pronë’ (grafik 4.1.b).
Pasuritë financiare të familjeve
Sipas raportit, nga përgjigjet e dhëna lidhur me zotërimin e pasurive financiare nga familjet, rezulton se 10% e totalit të kampionit (familje huamarrëse dhe johuamarrëse) dhe 16% e grupit të familjeve huamarrëse, ‘nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare’.
Duke analizuar vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (përjashtuar rastet që ‘nuk kanë asnjë lloj pasurie financiare’), rezulton se ‘depozitat dhe/ose llogaritë bankare’ vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të kampionit të familjeve (61% e rasteve të raportuara) ashtu edhe në rastin e familjeve huamarrëse (81% e rasteve të raportuara).
Krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2024, këto pesha kanë rënë respektivisht me 8 pp (për totalin e kampionit), dhe me 1 pp (në rastin e familjeve huamarrëse), ndërsa krahasuar me vitin 2023 kanë rënë respektivisht me 8 pp (për totalin e kampionit) dhe me 4 pp (në rastin e familjeve huamarrëse).
Përdorimi i formave të tjera të investimit, të përmbledhura në zërin ‘investime të tjera’, ka rezultuar në rënie në rastin e totalit të kampionit të vrojtuar (respektivisht me 1pp krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me vitin 2023). /ekofin.al
