Çdo biznes që funksionon në vend duhet që nga data 1 Korrik 2022 e në vijim të lëshojë vetëm fatura të fiskalizuara, në të kundërt do të gjobitet. Data 30 Qershor ka qenë dhe afati i fundit i vendosur nga Ministria e Financave për të gjitha subjektet aktive në Shqipëri që të bëhen pjesë e procesit të fiskalizimit.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në total janë 102.779 tatimpagues të pajisur me certifikatë fiskalizimi, ndërkohë që janë lëshuar afro 330 milionë fatura të fiskalizuara. Biznesi i madh tashmë është i gjithë pjesë e faturimit elektronik, ndërsa janë ende 8900 biznese të vogla që nuk janë fiskalizuar.
Sipas Ministres së Financave këto janë biznese që nuk kanë pasur qarkullim gjatë vitit të fundit dhe që pritet të kalojnë në status pasiv. Vitin që lam pas qeveria vendosi të shtyjë aplikimin e gjobave për bizneset që nuk janë fiskalizuar, duke iu lënë atyre afat deri më 30 Qershor 2022. Pas kësaj date, është e detyrueshme që që të gjitha bizneset të lëshojnë vetëm fatura elektronike, si pjesë e projektit të fiskalizimit, duke shmangur kështu çdo faturë fizike.