Në një kohë kur Shqipëria po përballet me një rënie të vazhdueshme të lindshmërisë dhe një shtesë natyrore negative të popullsisë, qeveria ka vendosur të forcojë mbështetjen për gratë me shumë fëmijë, përmes një politike të re sociale që synon përfshirjen në skemën e sigurimeve shoqërore.
Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028, gratë e papuna me tre ose më shumë fëmijë deri në moshën 18 vjeç, nga të cilët të paktën një është nën 5 vjeç, dhe me të ardhura familjare nën 100 mijë lekë në muaj, do të përfitojnë mbrojtje të veçantë nga shteti. Konkretisht, periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare do të njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.
Nga kjo skemë pritet të përfitojnë 8.300 gra në vitin 2025 dhe 8.700 në vitin 2028, me një fond total që arrin mesatarisht në 850 milionë lekë për periudhën 2026 –2028.
Kjo masë sociale në mbështetje të familjeve me shumë fëmijë mund të shënojë edhe një përpjekje për të frenuar rënien e lindshmërisë, që ka prekur të gjitha qarqet e vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e parë të vitit 2025, lindjet në vend shënuan një rënie të ndjeshme prej 14.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërsa vdekjet ranë me 5.8%. Shtesa natyrore rezultoi negative me -883 persona, duke sinjalizuar përkeqësim të trendit demografik. /ekofin.al

