Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar ndryshimet në sektorin e pastrimit urban, duke rritur me rreth 818 milionë lekë në vit fondin për administrimin e mbetjeve dhe duke zgjeruar ndjeshëm shërbimet që do të kryhen nga ndërmarrja “Eco Tirana” në kryeqytet.
Vendimi parashikon që buxheti vjetor i pastrimit të rritet nga 2.11 miliardë lekë në 2.93 miliardë lekë në vit, ndërsa fondi shtesë do të mbulohet duke pakësuar fondin rezervë të Bashkisë së Tiranës dhe duke e transferuar atë në programin “Menaxhimi i Mbetjeve”.
Sipas relacionit shoqërues, të cilin e disponon ekofin.al, Bashkia argumenton se Tirana ka hyrë në një fazë ku sistemi aktual i pastrimit nuk arrin më të përballojë ritmin e zgjerimit urban, shtimin e popullsisë dhe rritjen e aktivitetit ekonomik në qytet.
Tirana prodhon 760 ton mbetje në ditë
Dokumenti evidenton se kryeqyteti gjeneron aktualisht rreth 760 ton mbetje urbane në ditë, ose afro 280 mijë ton në vit. Rritja e numrit të banorëve, zgjerimi i zonave të urbanizuara dhe fluksi i përditshëm i qytetarëve e vizitorëve kanë sjellë presion më të madh mbi sistemin ekzistues të pastrimit.
Sipas Bashkisë, kjo situatë ka sjellë mbushje më të shpejtë të kontenierëve, më shumë mbetje jashtë pikave të grumbullimit, nevojë për ndërhyrje disa herë gjatë ditës në të njëjtat zona, zgjerim të sipërfaqeve që kërkojnë pastrim të përditshëm si dhe rritje të ngarkesës për punonjësit ekzistues.
Relacioni paralajmëron se, pa këtë rritje fondesh dhe kapacitetesh, do të kishte përkeqësim të kushteve higjieno-sanitare dhe ulje të standardeve të pastrimit në qytet.
Zbrazja e kontenierëve do të rritet nga 5,979 në 8,060 operacione në ditë, ose 34.8% më shumë se aktualisht.
Mirëmbajtja e pikave të grumbullimit do të rritet nga 2,259 në 2,953 operacione në ditë, ndërsa larja dhe dezinfektimi i kontenierëve nga 162 në 269 ndërhyrje ditore, me një rritje prej 66%.
Zgjerim parashikohet edhe për pastrimin manual të qytetit. Sipërfaqja që do të pastrohet çdo ditë kalon nga rreth 1.6 milionë metra katrorë në mbi 2 milionë metra katrorë.
Po ashtu fshirja mekanike e rrugëve rritet me 20.8% dhe pastrimi i akseve me shpejtësi të lartë rritet me 157.5%, nga 24 mijë në mbi 61 mijë metra linearë.
Më shumë punonjës dhe mjete të reja
Përballimi i këtij volumi të ri pune do të kërkojë shtim të konsiderueshëm të personelit dhe investime në flotë. Sipas dokumentit, punonjësit për zbrazjen e kontenierëve rriten nga 186 në 286. Rritje në numër ka edhe për punonjësit për mirëmbajtjen e pikave të grumbullimit nga 60 në 87.
Punonjësit për pastrimin manual shtohen nga 350 në 441.
Ndërkohë, parashikohen investime të reja në pajisje dhe mjete, ku flotës do ti shtohen 3 mjete të reja transporti, 3,337 kontenierë të rinj, 2 autolarëse, 2 makina fshirëse, 2 mjete speciale për akset rrugore me shpejtësi të lartë dhe gjithashtu edhe 5 mijë kosha të vegjël urbanë.
Paga minimale dhe kostot operative rrisin faturën
Një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e kostos është edhe rritja e pagës minimale në vend, nga 40 mijë në 50 mijë lekë.
Në relacion theksohet se shërbimi i pastrimit është intensiv në fuqi punëtore dhe se kostot e personelit përbëjnë rreth 47% të totalit të shpenzimeve. Sipas analizës financiare, 47% e kostos lidhet me paga dhe personelin; 18% me transportin dhe karburantin; 12% me mirëmbajtjen teknike; 13% me investimet në mjete dhe pajisje; si edhe 10% me materiale e pajisje të tjera.
Përveç pagave, Bashkia përmend si faktorë shtesë edhe rritjen e kostove të karburantit, amortizimin e mjeteve dhe zgjerimin e rrjetit urban që kërkon mbulim më të madh të shërbimit.
Bashkia: Nuk është rritje administrative
Në argumentimin e saj, Bashkia e Tiranës thekson se rritja e kostos nuk është një “rritje administrative”, por pasojë direkte e zhvillimit të qytetit dhe rritjes reale të volumit të mbetjeve.
Vendimi i ri i jep gjithashtu të drejtë kryetarit të Bashkisë të negociojë amendime të kontratës me Eco Tirana, duke përditësuar volumet e shërbimit dhe preventivat sipas nevojave reale të territorit.
Sipas relacionit, kjo synon krijimin e një sistemi më fleksibël dhe më eficient për administrimin e pastrimit urban në një qytet që po zgjerohet me ritme të shpejta. /ekofin.al
