Shqipëria renditet ndër vendet e para të rajonit të Ballkanit Perëndimor në përvetësimin e inteligjencës artificiale në ndërmarrje, duke u përputhur pothuajse me mesataren e BE-së prej ~8%. Vetëm Maqedonia e Veriut ka një performancë pak më të mirë, ndërsa Serbia mbetet prapa në këtë tregues specifik, pavarësisht se kryeson diku tjetër.
Sipas raportit të fundit të 2025 të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për konvergjencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përqindja e bizneseve që përdorin teknologji të inteligjencës artificiale (IA) ishte mesatarisht 5.4% midis viteve 2020 dhe 2023 – ose rreth 70% e nivelit të BE-së (ku raportohen mesatarisht afro 8% e bizneseve).
Vlen të theksohet se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut performojnë veçanërisht mirë në këtë tregues. Në të kundërt, megjithëse Serbia ishte ndër performuesit kryesorë në tregues të tjerë, ajo rezulton më e dobëta në rajon për përdorimin e teknologjive të IA-së.
Mbështetja për zhvillimin dhe adoptimin e IA-së në sektorin privat po fiton terren në Ballkanin Perëndimor. Fondet e inovacionit në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi po ofrojnë mbështetje financiare (si subvencione dhe kupona) si dhe ndihmë jofinanciare si mentorim, për të ndihmuar bizneset të integrojnë dhe përparojnë në teknologjitë e IA-së.
Serbia ka shkuar edhe më tej me krijimin e Institutit për Kërkime dhe Zhvillim në Inteligjencën Artificiale, i cili nxit bashkëpunimin publik-privat, mbështet start-up-et dhe rrit ndërgjegjësimin për aplikimet e mundshme të IA-së. Megjithatë, në ekonomitë që nuk kanë struktura të tilla, ekosistemet e dobëta të inovacionit, së bashku me mungesën e burimeve dhe infrastrukturës, mund të pengojnë bizneset – veçanërisht start-up-et dhe ndërmarrjet e vogla – të adoptojnë IA-në në mënyrë efektive, thuhet në raport.
Për më tepër, mungesa e kornizave të zhvilluara të qeverisjes dhe etikës për IA-në dekurajon bizneset që të adoptojnë këto teknologji. Boshllëqet rregullatore në fusha si privatësia e të dhënave, përgjegjësia ligjore, pajtueshmëria dhe transparenca krijojnë pasiguri për kufijtë e përdorimit të pranueshëm të IA-së nga bizneset.
Deri më tani, vetëm Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë miratuar udhëzime etike për përdorimin e IA-së. Gjithashtu, megjithëse të gjitha ekonomitë në rajon e kanë përfshirë IA-në në strategjitë më të gjera të zhvillimit dixhital, Serbia është e vetmja që ka miratuar një strategji kombëtare të dedikuar për IA-në, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ende në fazat fillestare të hartimit të kornizave strategjike, thekson raporti.
Megjithatë, qeveria shqiptare ka nisur një rrugëtim ambicioz për të integruar inteligjencën artificiale (AI) në sektorë të ndryshëm publikë, për të transformuar shërbimet publike, për të përmirësuar punën e institucioneve dhe për të rritur angazhimin e qytetarëve.
Në dokumentin e Politikave Prioritare 2026-2028, përshkruhen disa nga projektet që qeveria synon të realizojë përmes Inteligjencës Artificiale. Po kështu, Strategjia Kombëtare e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative 2024 – 2030 planifikon një buxhet prej 1.57 miliardë Lekë për zhvillimin e ekosistemit të sipërmarrjes, nga zhvillimi dhe fuqizimi i startup-eve te investimet në sektorët kyç turizmi, energjia dhe sipërmarrjet innovative TIK dhe parqet teknologjike. /ekofin.al

