Një prej grupeve më të mëdha dhe më me ndikim në Shqipëri dhe rajon, BALFIN Group, ka shënuar një tjetër vit rekord sa i përket kontributit të tij ekonomik dhe social. Në një publikim në rrjetet sociale, grupi i themeluar dhe drejtuar nga sipërmarrësi vizionar Samir Mane, bëri publike një shifër domethënëse për fondin total të pagave të kompanive të tij: 73 milionë euro gjatë vitit 2024. Kjo përbën një rritje prej rreth 25% krahasuar me vitin e mëparshëm, duke reflektuar zgjerimin e aktiviteteve të grupit, por edhe vëmendjen dhe investimet në vazhdimësi te burimet njerëzore.
Një konglomerat me ndikim në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit
BALFIN Group (Balkan Finance Investment Group), i themeluar në Vjenë në vitin 1993 nga Samir Mane, është zgjeruar shpejt përtej kufijve shqiptarë dhe tashmë operon me sukses në 11 shtete dhe 2 kontinente, përfshirë Austrinë, Kroacinë, Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Zvicrën, Holandën, SHBA-të dhe Kanadanë. Grupi ka një portofol divers në sektorë kyç të ekonomisë, si ndërtim dhe imobiliare, turizëm dhe akomodim, retail (elektroshtëpiake, tekstile, ushqimore), logjistikë dhe shërbime financiare, banking, edukim, etj.
Burimet njerëzore – një aset i çmuar për BALFIN
Me një numër të përgjithshëm prej 5,483 punonjësish, grupi është sot punëdhënësi më i madh privat në Shqipëri, si edhe ndër më të mëdhenjtë në rajon. Rritja e fondit të pagave në 73 milionë euro, shoqëruar me një nivel të lartë kontributesh për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (16,5 milionë euro për vitin 2024), është një sinjal i qartë i strategjisë së BALFIN për të ofruar paga konkurruese dhe kushte dinjitoze pune. Në mënyrë të vazhdueshme, grupi e ka cilësuar investimin te ruajtja, zhvillimi dhe zgjerimi i kapitalit njerëzor si një nga prioritetet e tij kryesore, si një faktor kyç për qëndrueshmërinë dhe rritjen afatgjatë të biznesit.
Kontribut në zhvillimin ekonomik dhe social
Në vitin 2024, kontributi i BALFIN në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore arriti në 16,5 milionë euro, ose rreth 35.3% më shumë se një vit më parë, kur kontributet ishin 12,2 milionë euro. Kjo rritje reflekton jo vetëm zgjerimin e aktivitetit të kompanive të grupit, si edhe rekrutimin e më shumë punonjësve, por edhe përkushtimin në vazhdimësi në drejtim të krijimit të një ambienti pune të sigurt dhe të rregullt. Ky nivel kontributesh e vendos BALFIN në mesin e aktorëve më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, jo vetëm në terma të xhiros dhe kapitalit, por edhe si kontributor direkt në buxhetin e shtetit përmes taksave dhe pagesës së të gjitha detyrimeve.
Vizioni për të ardhmen
Zgjerimi i investimeve dhe rritja e fondit të pagave janë pjesë e një plani strategjik për të ardhmen e grupit. Samir Mane ka deklaruar më herët se vizioni i tij është të transformojë BALFIN Group në një kompani me ndikim të përmasave evropiane, duke ndjekur modelet e korporatave të suksesshme perëndimore dhe duke aplikuar standardet më të larta të qeverisjes korporative dhe transparencës në Shqipëri dhe rajon. Ambicia e grupit për t’u rritur më tej mbështetet nga diversifikimi i portofolit, investimet në teknologji, zhvillimi i mëtejshëm i burimeve njerëzore, përqafimi i parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm (ESG) dhe përkushtimi për të mbështetur dhe kontribuar në komunitetet lokale, përmes nismave të përgjegjësisë sociale të korporatës. /ekofin.al
